“Rapid Bild” nga Kumanova për 59 milionë euro do ta ndërtojë interkonektorin e gazit në Maqedoninë lindore! Drejtori i NOMAGAS, kuadër i LD-së, në Facebook shpreh optimizëm se do të realizohet

Kompania “Rapid Build” nga Kumanova ka ofruar çmim më të ulët prej 59,9 milionë eurove në tenderin për ndërtim të interkonektorin për gaz natyror me Greqinë dhe oferta e saj ka shanse më të mëdha në zgjedhjen e realizuesit, mëson TV21.
Sipas informacioneve tona, çmimi i “Rapid Build” është për 10 milionë euro më e ulët se oferta e kompanisë së dytë e cila vjen nga Serbia. E njëjta ka ofruar 69 milionë euro për ta ndërtuar interkonektorin për gaz natyror me Greqinë. Oferta e tretë është 70 milionë euro e një kompanie italiane, ndërsa oferta më e lartë është rreth 90 milionë euro.
Nga “Nomagas” njoftuan se sot u mbyll tenderi. Kanë arritur 5 oferta, një nga një kompani vendase, dy janë italiane dhe nga një ofertë nga Turqia dhe Serbia. Nuk zbulojnë detaje për ofertat, vetëm presin që ndërtimi të nisë në pranverë pasi do të kalojnë të gjitha procedurat për miratimin e realizuesit.
SHA NOMAGAS SHKUP:
Kompania që do të zgjidhet do të ketë afat prej dy viteve për ndërtimin e pjesës maqedonase të interkonektorit me gjatësi prej 67 km. Pritet që deri në fund të vitit të finalizohet zgjedhja dhe nënshkrimi i kontratave të nevojshme, me kompaninë që do t’i realizojë punët ndërtimore, me çka, sipas pritjeve, ndërtimi do të fillojë në pranverë.
Kjo është përpjekja e dytë që të zgjidhet kompania për ndërtimin e interkonektorit.
Paraprakisht tenderi u anulua për shkak se Banka Europiane kishte vërejtje, andaj procedura duhej të përsëritej. Sipas informacioneve të TV21, në atë kohë, çmimi më i ulët për ndërtimin e interkonektorit për gaz natyror me Greqinë ishte 71 milionë euro.
Pronari i “Rapid Build” Toni Karanfillovski për TV21 pohoi se kanë çmim më të ulët në tender.
“Po, ofruam 59,9 milionë euro për ndërtimin e interkonektorit me Greqinë dhe sa u përket ofertave të tjera, oferta jonë është me çmim më të ulët. Pas hapjes së ofertave, pason shqyrtim nga komisioni i Nomagas dhe pastaj duhet të merret pëlqim nga Banka Europiane. Çmimi që e ofruam në këtë tender i pasqyron trendët e tregjeve dhe është rezultat i uljes së çelikut krahasuar me 2022/23”, tha Toni Karanfillovski, pronar i Rapid Build.
Nëse edhe kësaj here nuk ka sukses ndërtimi i interkonektorit me Greqinë, shteti grek prej Maqedonisë së Veriut ka të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim, përkatësisht shteti do të duhet t’u paguajë aq para sa ka investuar pala greke në pjesën e saj.
Interkonektori është me gjatësi prej 123 km, ndërsa pjesa maqedonase është 67 km- nga Gjevgjelia deri në Negotinë. Paratë për ndërtimin e interkonektorit, 83,6 milionë euro janë siguruar përmes kredive dhe granteve nga institucione financiare ndërkombëtare.
Kjo lidhje me Greqinë duhet të sigurojë gaz nga më shumë burime. Për momentin me Bullgarinë është lidhja e vetme që e ka vendi ynë jashtë kufijve.