Pas përfundimit të procedures Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar aktakuzë në gjykatën kompetente kundër gjithsej katër personave të cilët në ngjarje të ndryshme në ditët e kaluara kanë kryer veprime që përmbajnë elemente të veprës penale – Shkaktim i urrejtjes, përçarjes ose mostolerancës mbi baza nacionale, racore, fetare dhe të tjera diskriminuese nga neni 319 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Për katër persona ndaj të cilëve u ishte caktuar masa e paraburgimit në procedurën paraprake, prokurorët publik kërkuan nga Gjykata Themelore Penale Shkup që t’ua vazhdohet paraburgimi.

“Tre nga të pandehurit më 28 Nëntor, me rastin e festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, duke djegur dhe grisur flamurin kombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkaktuan ndjenjën e urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës në bazë etnike dhe ekspozuan tallje me simbolin kombëtar. I pandehuri i katërt, pak ditë më vonë, më 2 dhjetor, ka dëmtuar flamurin e një shteti tjetër – Republikës së Shqipërisë – duke e djegur atë, gjë që ka shkaktuar urrejtje dhe intolerancë”, thonë nga Prokuroria.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se veprimet e tyre shkaktuan gjuhë të urrejtjes, e cila u shfaq veçanërisht në rrjetet sociale në ditët kritike, dhe me tendencë të shndërrohej në incidente të reja dhune. Kujtojmë se për incidentet me kremtimin e 28 nëntorit në pyetje u morrën 18 persona nga të cilët katër janë në paraburgim, ndërsa ndaj dhjetëra personave ka nisur procedimi penal për shkak kaosit në rrugë dhe në komunikacion.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume