Ekspertiza për aksidentin e 5 nëntorit të vitit të kaluar në Ulpianë të Prishtinës doli, por familja Llausha nga Vushtrria assesi nuk po pajtohet me konkluzionet e paraqitura në të.

Sipas Fehmiut, i cili është vëllai i tashmë të ndjerit Adem Llausha, shpejtësia e veturës së policit L.M., në momentin e aksidentit ishte shumë më e madhe se sa ajo që ishte paraqitur në ekspertizë, raporton Kiks Kosova.

Llausha ka bërë të ditur se në të dhënat e ekspertizës, vëllai i tij ishte paraqitur si shkaktari kryesor i aksidentit.

Kjo për shkak që siç ka thënë ai, aty thuhej se viktima nuk e kishte respektuar përparësinë e kalimit në kryqëzim.

Megjithatë, sipas tyre të dhënat e paraqitura në ekspertizë nuk përkojnë me pamjet e aksidentit që i kishte parë vetë familja e të cilat i posedon prokurori i rastit.

Për këtë, familja Llausha ka kërkuar një ekspertizë të dytë.

Ata presin që në këtë të fundit të paraqiten të dhëna të paanshme dhe të sakta.

Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve, avokatja e familjes së viktimës nuk ka pranuar të japë detaje.

Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës i thanë Kiksit se i kanë nisur hetimet ndaj zyrtarit policor L. M., derisa i njëjti gjendet në arrest shtëpiak.

Kiksi ka mësuar se deri më tani, i dyshuari L.M. ende nuk është marrë në pyetje nga prokurori i rastit, derisa kjo pritet të ndodhë pasi të dalë ekspertiza e dytë e aksidentit.