Këtë të hënë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë, lideri demokrat është pritur me ovacione nga militantët e Partisë Demokratike, të cilët janë njoftuar zhvillimin e një proteste sot para SPAK-ut.

Teksa i përshëndeti mbështetësit, Berisha nuk ka dhënë një deklaratë për mediat, ndërsa pritet ta bëjë pasi të dalë nga ambientet e SPAK-ut.

Në njoftimin e saj, PD e cilëson SPAK si “vegël” në duart e kryeministrit Edi Rama “për të përndjekur” kundërshtarët politik.

“Të dashur miq. Ditën e hënë është data e radhës e përcaktuar për tu paraqitur kryetari i PD-së Prof.Dr. Sali Berisha në SKAP. Ndaj në ora 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP-it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politik. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e shpërndarë me strukturat e PD.

Berisha është shprehur se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani”, është një krim kushtetues.

Ai ka deklaruar se prokurorët e SPAK, kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën.