Bujqit nga 14 fshatra të Pollogut kanë dalë sot në protestë në Gostivar, duke shprehur revoltën për bllokimin e kanalit të ujitjes në lagjen Maleardë.
Ata theksuan se tri të katërtat e kanalit, që përdoret për ujitjen e arave të tyre, është bërë i papërdorshëm pas ndërhyrjeve ndërtimore ku është asfaltuar, duke rrezikuar kështu ekzistencën e tyre. Kanali Zdunje – Pirok, me një gjatësi totale prej 15 kilometrash, shërben për ujitjen e 3,600 hektarëve tokë bujqësore.
“Do të mbetemi pa ujë për ujitjen e arave tona. Si është e mundur që në ditët e sotme dikush të guxojë të ndërhyjë në një kanal të ndërtuar në vitin 1964 dhe të rikonstruktuar në 1984, me kapacitet prej 1 metër kub ujë për sekondë? Kërkojmë që autoritetet të ndërhyjnë menjëherë, ta zbardhin rastin dhe ta kthejnë kanalin në gjendjen e tij të mëparshme,” -tha Zhivko Jovanovaki.
Sipas tij, inspektorati komunal i ndërtimit më 17 tetor 2024 kishte lëshuar një vendim për ndalimin e punimeve, i cili ishte dërguar te kompania ekzekutuese, por ndërtimi kishte vazhduar.
Nga drejtoria lokale e ujërave në Gostivar, që menaxhon dhe mirëmban kanalin, thonë se për problemin ishin njoftuar që në shtatorin e vitit të kaluar nga një bujk dhe se kishin ndërmarrë një sërë masash.
“Kur dolëm në terren më 30 shtator, pamë se ishin montuar tubacione betoni për të cilat nuk ishim njoftuar as nga kompania ekzekutuese dhe as nga investitori – Komuna e Gostivarit. Tubacionet ishin mbuluar me dhe, tamponuar dhe më pas asfaltuar. Qëllimi i tyre ishte zgjerimi i një rruge lokale në kurriz të kanalit tonë kryesor. Janë rreth 300 metra kanal që janë tërësisht të asfaltuara. Kapaciteti i kanalit është reduktuar trefish. Ne e kemi raportuar rastin. Pas një kohe të gjatë pa zgjidhje, e ndjemë për detyrë të informojmë bujqit se këtë sezon mund të mos kenë ujë për ujitje,” – tha Juliana Nikoloq.
Nga Komuna e Gostivarit deklaruan se ndërhyrja ishte bërë për shkak të kërkesave të shumta dhe të vazhdueshme të banorëve të lagjes “Zona e Gjashtë”.
“Kanali përbënte një rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e banorëve, pasi në të derdheshin edhe ujëra të zeza. Për këtë problem shumëvjeçar, ne kemi paraqitur kërkesa të shumta për zgjidhje, por për shkak të vonesave nga autoritetet kompetente, si pushtet lokal, u munduam t’u dalim në ndihmë banorëve tanë dhe të paktën ta zbusim problemin. Brenda projektit të kanalizimit, gjetëm një zgjidhje të përshtatshme për kanalin që kalon në zonën e banuar dhe që përmbush nevojat komunale të qytetarëve. Sigurojmë se rrjedha e ujit nuk është ndërprerë, por është vendosur një sistem tubacioni për të mundësuar kalimin e ujit” – thonë nga Komuna e Gostivarit.
Thanë nga komunaE Gostivarit duke bërë thirrje që situata të mos keqpërdoret për qëllime politike apo personale. Bujqit i kanë dhënë afat prej 20 ditësh institucioneve për të ndërhyrë, duke paralajmëruar se protestat do të intensifikohen nëse nuk ndërmerren masa.