Kim Jong Un thuhet se i ka ndaluar koreano-veriorët të hanë “ushqimin perëndimor” dhe ka urdhëruar burgosje për çiftet që divorcohen.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, udhëheqësi 40 vjeç, pretendon se ushqimi i famshëm është shumë perëndimor dhe thotë se servirja e ushqimit tani do të konsiderohet një akt tradhtie.

Kushdo në shtetin eremit që kapet duke shitur atë në rrugë ose duke gatuar në shtëpitë e tyre rrezikon të dërgohet në kampet e punës.

Duke folur për The Sun, një shitës në provincën veriore të Ryanggang tha: “Shitjet e budae-jjigae në treg janë ndalur”.

Ky lloj ushqimi “u importua” nga Koreja e Jugut e pasur pro-perëndimore në vitin 2017.

Shitësi konfirmoi gjithashtu për gazetën se policia e Koresë së Veriut dhe menaxhimi i tregut kanë thënë se kushdo që kapet duke shitur këtë ushqim do të mbyllet.

Lëvizja e çuditshme është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të regjimit për të shtypur atë që ai e sheh si “kulturë dekadente kapitaliste që depërton në vend”.

Jong Un ka urdhëruar gjithashtu që çiftet që divorcohen të dërgohen në kampin e punës për të paguar çmimin përfundimtar për ‘krimet’ e tyre.

Si pjesë e ‘goditjes’ së re, lideri tiran dëshiron që të dyja palët të shërbejnë deri në gjashtë muaj pasi ndarja shihet si ‘antisocialiste’.

Sipas raporteve, gratë mund të përballen me dënime më të gjata.

Kjo paraqet një ashpërsim të ligjeve ekzistuese, të cilat më parë ndëshkonin vetëm palën që kërkonte divorcin – edhe në rastet e abuzimit fizik.

Jong Un e ka qeverisur Korenë e Veriut me grusht të hekurt që nga viti 2011 dhe në atë kohë ka futur një sërë ligjesh të çuditshme. /Telegrafi