Ekonomia e Gjermanisë është tkurrur për vitin e dytë rresht, për herë të parë në më shumë se dy dekada, duke i vënë në pah sfidat me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re pas zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit.

Përderisa votuesit po përgatiten për t’u nisur drejt qendrave të votimit në kohën e shtimit të paqartësisë politike në ekonominë më të madhe të Evropës, të dhënat zyrtare treguan se prodhimi vendës bruto ra për 0,2 për qind vitin e kaluar, pasi paraprakisht ishte zvogëluar për 0,3 për qind më 2023, raporton gazeta “The Guardian”.

Këto shifra e paraqesin vetëm tkurrjen e dytë dyvjeçare në ekonominë gjermane që nga vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar, pasi ekonomia kishte pësuar rënie edhe më 2002 e 2003.

Ekonomia gjermane i është nënshtruar trysnisë së madhe, përderisa kompanitë industrial të vendit po e zvogëlojnë prodhimin për shkak të kërkesës së brendshme të pakënaqshme, rritjes së çmimeve të energjisë dhe shtimit të konkurrencës nga importet kineze.

Të dhënat e fundit treguan se prodhimi ishte dukshëm më i ulët më 2024, me 3 për qind më pak vlerë të shtuar bruto në krahasim me vitin paraprak. Kjo rënie u shkaktua nga pakësimi i ndjeshëm i prodhimit të veturave si dhe tkurrja në industrinë kimike dhe të energjisë intensive.

Vitin e kaluar, njëri nga punëdhënësit më të mëdhenj në Gjermani, “Volkswagen”, u pajtua me sindikatat për të mbyllur më shumë se 35 mijë vende pune deri më 2030 për shkak të rënies së kërkesës – edhe pse kompania hoqi dorë nga planet për të mbyllur fabrika për herë të parë./Nacionale