Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si sjellje “të keqe” vendimin e kryeministrit Albin Kurti që të mos i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale. Kjo e fundit gjatë dhjetorit e ftoi Kurtin në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore.

Haradinaj kujtoi një fjalim që Kurti kishte dhënë vite më parë, ku i drejtohej ish-presidentit Hashim Thaçi me fjalët “shko Hashim”, duke e lidhur atë fjalim të Kurtit me situatën aktuale.

“Kurti iu kujtohet ka mbajtur një fjalim shumë emocional, dogmatik shko Hashim, fjalimi i famshëm dhe në atë fjalim Kurti i ka thënë shko Hashim për shkak të këtij argumenti, pra ai i thoshte kryeministrit të atëhershëm të Kosovës shko në një gjykatë të huaj për ta sqaruar luftën apo edhe pasluftën, dhe i thoshte ke shko me sqaru luftën tonë çlirimtare, tani unë i them Kurtit; shko Albin në Prishtinë, sqaro hajninë, sqaro vjedhjen e rezervave shtetërore, apo të energjisë, apo Nagipin, shko”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Haradinaj tha se mos respektimi i ftesës së Prokurorisë Speciale nga ana e kryeministrit të vendit është një thirrje për qytetarët që të mos i respektojnë institucionet e drejtësisë.

“Është e pabesueshme që ky njeri me i bë kaq shumë dëm sistemit gjyqësor e me dhanë një precedan kaq të keq, unë kam dhënë dy herë dorëheqjen për shkak të ftesës së Prokurorisë për mos me shku si kryeministër jashtë vendit kam dhënë dorëheqje në vitin 2005 dhe në vitin 2019. Ai duhet me shku në Prokurori se ligji është për të gjithë, s’ka privilegje kryetari i Qeverisë, në fakt kur kryetari i Qeverisë e shkelë ligjin është thirrje për të tjerët që mos me e respektu ligjin”, tha Haradinaj.