Floriana Garo, në një intervistë të fundit në programin “Shije Shtëpie”, ndau eksperiencën e saj mbi sfidat e bashkimit të karrierës dhe jetës familjare. Ajo theksoi se, për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme dhe funksionale, është e rëndësishme që të vendosësh prioritetet e duhura dhe të gjesh një ekuilibër mes zhvillimit personal dhe marrëdhënies.

Ish-zëdhënësja e Partisë Demokratike e tregon vendimin e saj të madh për të ndryshuar drejtimin e jetës. Ajo u largua nga jeta e njohur në ekran dhe vendosi të ndjekë rrugën e familjes, duke u transferuar në Zvicër për t’u bërë bashkëshortja e një avokati. Në këtë periudhë, ajo kuptoi se nuk ishte më vetëm Floriana, por gruaja e avokatit, një rol që kërkonte të lëshonte pas shumë prej projekteve dhe ambicieve të saj.

LEXO EDHE:
U zgjodh lider i shtëpisë së BBVA 4, ja çfarë tha banori

Floriana Garo: Unë kam pasur një karrierë përpara sesa të martohesha. Një karrierë ku kam qenë shumë e njohur, shumë e realizuar me të gjitha dhe një moment e shkëputa, e ndërpreva karrierën time për të qenë gruaja e… tim shoqi, e avokatit në këtë rast që ishte në Zvicër. Unë nuk isha më Floriana, por isha gruaja e avokatit. Nuk ishte e thjeshtë të përballeshe edhe me këtë situatë, megjithatë për mua ishte shumë e rëndësishme familja, ndërtimi i familjes, krijimi i familjes, fëmijët dhe të gjitha këto saqë e lashë egon time mënjanë deri diku.

Katerina Trungu: Për një kohë të shkurtër ose, për disa vite.

Floriana Garo: Për një periudhë kohe dhe mendoj që edhe ajo që po thoshte Artioni më përpara dhe desha të elaboroja mbi këtë, është që të dy në të njëjtën kohë, pra të jenë super të realizuar është pak e vështirë sepse koha për familjen është e limituar për një çift që është ambicioz dhe unë e diskutoj shpesh me tim shoq këtë gjë, është që projektet mund të jenë me faza. Një moment ai është më i zënë dhe unë do të tërhiqem më shumë, një moment unë do të jem më e zënë dhe ai do të jetë pak më i tërhequr sepse ndryshe nuk e bën dot familjen. Nga eksperienca personale, unë këtë mund të them.