Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur një trup i pajetë i një personi në lumin Drini i Bardhë në afërsi të urës së fshatit Rogovë të cilin e kishte vërejtur një qytetar rreth orës 08:20 minuta të ditës së sotme.

Dyshohet se trupi i pajetë është i Arban Hisarit meqë sipas policisë në rrobat e viktimës u gjenden dokumente me këtë emër dhe sipas tyre edhe rrobat që kishte të veshur viktima ishin të njëjta sikur në ditën kur është raportuar i zhdukur nga familjarët. Prandaj sipas policisë ekziston dyshimi se trupi i pajetë është i viktimës, Arban Hisari.

“Me datë 14.01.2025, rreth orës 08:20, policia është informuar se një qytetar e ka vërejtur një trup të pa jetë në lumin Drini i Bardhë në afërsi të urës se fshatit Rogovë. Me të marr këtë informacion, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe zyrtarë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë dal në vendngjarje, ku kane vërejtur një trup të pa jetë. Pas kontrollimit të viktimës nga njësitë përkatëse, në rrobat e viktimës janë gjetur dokumentacion personal në emër të Arban Hisari, DL.05.06.1998 si dhe rrobat të cilat i kishte viktima, ishin të njëjtat sikur në ditën kur është raportuar i zhdukur nga familjarët, andaj besohet se trupi i pajete është i viktimës së lartcekur. Për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit”, ka njoftuar për RTKlive Shaqir Bytyqi zëdhënës i Policisë Rajonale në Prizren.

Arban Hisari ishte raportuar nga familjarët i zhdukur qysh nga 24 dhjetori i vitit të shkuar. Kërkimet për të kishin nisur nga Policia e FSK-ja.