Kryetari i ri i Këshillit Gjyqësor: Gjykatësit që nuk punojnë sipas ligjeve nuk do të kenë vend në gjyqësor
Gjykatësi i Apelit nga Manastiri, Aleksandar Kambovski, është zgjedhur kryetar i ri i Këshillit Gjyqësor, pas dorëheqjes së Vesna Damevës. Këshilli për herë të parë do të drejtohet nga një gjykatës i diplomuar në Akademinë për Gjykatës. Këshilli deri më tani është udhëhequr nga gjykatës dhe anëtarë të zgjedhur në Kuvend. Kambovski u propozua nga gjykatësi suprem Isamedin Limani nga ku më pas u përkrah nga të gjithë anëtarët.
Nga gjithsej 13 të pranishëm në seancë, 13 votuan për kandidatin e vetëm për kryetar të Këshillit Gjyqësor. Seanca e këshillit gjyqësor zgjati gjysmë ore.
Pas zgjedhjes për kryetar, Kambovski falenderoi për besimin dhe njëkohësisht tha se gjykatësit që nuk do të punojnë sipas ligjeve do të largohen nga sistemi gjyqësor.
Aleksandar Kambovski
“Të jeni të sigurt se institucioni do të drejtohet me integritet, paanshmëri dhe përpjekje për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit. Kjo është shtëpia e gjykatësve, i inkurajoj që të punojnë sipas ligjeve dhe të mos bien nën asnjë ndikim. Është koha që t’i jepet fund çdo gjykatësi që nuk punon sipas ligjeve”.
Gjykatësi Kambovski nga viti 2003 deri në vitin 2005 ka punuar në Gjykatën Themelore të Manastirit, nga viti 2005 deri në vitin 2007 si avokat në një kompani private, më pas nga viti 2010 është punësuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Zyrën e Avokatisë. Ndërsa në vitin 2017, Kambovski u gradua gjykatës i apelit në Manastir. Ai po ashtu ka dhënë mësim në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, ndërsa në vitin 2024, është zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor.