Presidenti i zgjedhur i amerikan, Donald Trump, tha se ishte arritur një marrëveshje për pengjet, të cilët do të lirohen shpejt nga Hamasi.
“Ne kemi një marrëveshje për pengjet në lindjen e mesme. Ata do të lirohen shpejt. Faleminderit!”, Trump shkroi në Truth Social.
“Me këtë marrëveshje në fuqi, ekipi im i sigurisë kombëtare, përmes përpjekjeve të Dërguarit të Posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të vazhdojë të punojë ngushtë me Izraelin dhe aleatët tanë për të siguruar që Gaza nuk do të bëhet kurrë më një strehë për terrorizmin. Ne do të vazhdojmë të promovojmë paqen përmes fuqisënë gjithë rajonin, ndërsa ndërtojmë mbi këtë moment të armëpushimit për të zgjeruar edhe më tej Marrëveshjet Historike të Abrahamit. Ky është vetëm fillimi i gjërave të mëdha që do të vijnë për Amerikën, dhe në të vërtetë, për botën!”, ka pohuar më tutje 78-vjeçari.
Ndërkohë, një komunikatë që e lëshoi Hamasi, thuhet se grupi ka pranuar armëpushimin me Izraelin.
“Delegacioni ynë, i udhëhequr nga Khalil Al-Hayya, ka miratuar lëvizjen për një armëpushim dhe shkëmbimin e të burgosurve”, thuhet në komunikatën e Hamasit.
Kjo informacion vjen pasi negociatat disa javëshe në Doha, me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-ve, arritën të afronin pozitat dhe të ushtronin presion për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza.
Për të finalizuar marrëveshjen, tani duhet të miratohet edhe nga kabineti izraelit i sigurisë, ndërkohë që mediat izraelite njoftojnë se do të ketë një afat dy-ditor për dorëzimin e ankesave në Gjykatën e Lartë të Izraelit.
Siç është njoftuar më herët, armëpushimi do të realizohet në tri faza, dhe faza e parë përfshin lirimin e një pjese të të burgosurve izraelitë në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Një burim pranë Hamasit tha se lirimi i parë i pengjeve do të bëhet “në seri, duke filluar nga fëmijët dhe gratë.”
Sipas marrëveshjes së propozuar, Izraeli do të ruajë një zonë tampon përgjatë Korridorit Filadelfia në jug të Gazës, si dhe një shirit prej 800 metrash në kufirin verior dhe lindor të Gazës, shkruan cnn.
Në fazën e dytë, Hamas do të lirojë të burgosurit e mbetur, burrat e rritur të lënduar nën 50 vjeç në këmbim të më shumë të burgosurve të sigurisë dhe “tërheqjes së plotë” të forcave izraelite nga Gaza, sipas projekt-marrëveshjes në të cilën AP ka pasur mundësi të shikojë.
Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë të burgosurit e mbetur pa përfunduar lufta dhe pa tërheqjen e plotë të Izraelit, ndërsa Netanyahu ka premtuar në të kaluarën se do të luftojë deri sa aftësitë ushtarake dhe menaxhuese të Hamasit të eliminohen.