Një sulm me raketa i forcave ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Zaporizhia, vrau 13 persona dhe plagosi 113 të tjerë. Guvernatori i rajonit Ivan Fedorov tha se dhjetë nga 60 personat në spital pas sulmit janë në gjendje të rëndë, ndërsa kjo e enjte do të jetë një ditë zyrtare zie.

Sulmi erdhi disa minuta pasi guvernatori Fedorov paralajmëroi se “raketat me shpejtësi të lartë” po lëviznin drejt rajonit të Zaporizhias.

Trupat e viktimave dhe të njerëzve të plagosur nga sulmi u gjendën përgjatë një rruge dhe zonave të asfaltuara pranë objekteve të dëmtuara të transportit publik.

Sulmet goditën një tramvaj dhe një autobus me pasagjerë. Po ashtu u dëmtuan blloqe apartamentesh të larta, një objekt industrial dhe infrastruktura. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy reagoi në rrjetet e tij sociale për ngjarjen.

“Nuk ka asgjë më mizore sesa lëshimi i bombave nga ajri mbi një qytet, duke e ditur se do të vuajnë qytetarët e zakonshëm”, shkroi ai.

Zelenskyy u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Ukrainës që të rrisin trysninë ndaj Rusisë.

Rusia kryen rregullisht sulme ajrore në rajonin e Zaporizhias, një qytet që forcat e saj e kanë pjesërisht nën kontroll.