Forca të shumta policie kanë blinduar mesditën e kësaj të enjteje zonën e Astirit në kryeqytet. Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat RENEA ndodhen në terren.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për një vajzë në katin e 8-të të një banese, e cila ka kërkuar ndihmën e policisë pasi është dhunuar nga disa persona.
Përmes një komunikate për media policia bën me dije se vajza në fjalë ka mbyllur derën e banesës dhe nuk pranon ta hapë atë.
Pas futjes në apartament të forcave RENEA, të cilat hynë duke zbritur me litar nga tarraca në ballkonin e banesës, vajza u gjet e vetme dhe në gjendje të rëndë psikologjike.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
“Shtetasja S.Q, ka njoftuar sallën operative se ndodhet në një banesë në katin e 8-të, dhe pretendon se është dhunuar nga disa persona.
Menjeherë në vendngjarje kanë mbërritur sherbimet e Policisë, Grupi Hetimor, shërbimet zjarrëfikëse dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe ofrimin e ndihmës së qytetares.
Shërbimet e Policisë po negociojnë me shtetasen S.Q, pasi e ka mbyllur deren dhe nuk pranon ta hap”, njofton policia.