Të paktën 20 persona janë lënduar në një përplasje tramvajesh pranë stacionit hekurudhor në Strasburg të Francës.

“Bilanci i parë tregon për 20 persona të lënduar lehtë”, tha zëdhënësi i policisë, duke shtuar se rrethanat e aksidentit ende nuk janë sqaruar.

Një reporter i AFP-së tregoi se rreth vendit të ngjarjes është vendosur një kordon sigurie dhe se përpara stacionit ndodhen shumë automjete të ndihmës së shpejtë.

Një video e një dëshmitari okular, e publikuar në rrjetet sociale, tregon një skenë kaotike dhe dy tramvaje të dëmtuar rëndë në një tunel, në nivelin e stacionit.

Njëri nga tramvajet duket se ka dalë nga shinat për shkak të përplasjes, shkruan metro.co.uk.

Strasburgu është qyteti i parë i madh francez që riktheu tramvajet në shërbim në vitin 1994 dhe që prej asaj kohe nuk ka pasur aksidente të mëdha.