Varianti i ri i norovirusit, GII.17[P17], po shkakton rritje të rasteve të të sëmurëve me probleme të stomakut në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
CBS News ka shkruar se ky variant tani është bërë dominues, duke përbërë shumicën e rasteve të infeksioneve që ndodhin në këtë sezon, përfshirë rastet te njerëzit që janë nëpër anije lundruese.
Sipas Jan Vinjé, nga CDC, është ende herët për të thënë nëse ky variant është i lidhur me një sëmundje më të rëndë të norovirusit, por me shumë mundësi imuniteti më i ulët i popullatës është arsyeja e rritjes së rasteve që ndodh çdo vit.
Megjithatë, është e qartë se GII.17 është bërë shkaktari kryesor i shpërthimeve të norovirusit këtë sezon, duke zëvendësuar variantin GII.4 që ka dominuar në vitet e kaluara. Në këtë sezon, vetëm rreth 7% e rasteve janë lidhur me GII.4, ndërsa GII.17 është gjetur në rreth 7 nga 10 raste.
Sipas të dhënave të CDC-së, varianti GII.17 është përgjegjës për shpërthime kudo në SHBA këtë sezon, përfshirë rastet që ndodhën nëpër anije lundruese. Po ashtu, CDC raportoi të paktën gjashtë shpërthime të norovirusit në anije lundruese muajin e kaluar, që është më e larta për një muaj në dekadën e fundit.
Shumica e rasteve të norovirusit shërohen vetë pa nevojë për trajtim mjekësor, kështu që është e vështirë të dihet saktësisht sa njerëz janë prekur. Megjithatë, të dhënat tregojnë rritje të nivelit të infeksioneve, duke përfshirë rezultate pozitive të testimeve dhe nivele të larta të norovirusit në ujërat e përdorura nga kompani të tilla si WastewaterSCAN.
Për momentin, shkencëtarët janë të kujdesshëm dhe po mbledhin më shumë të dhëna për të vlerësuar nëse ky variant ka shkaktuar rritje të rasteve më serioze të sëmundjes.
Megjithatë, autoritetet shëndetësore këshillojnë që të mos neglizhohet higjiena e duarve. Gjithashtu këshillohet që të qëndrohet në shtëpi kur dikush sëmuret, deri të paktën 48 orë pas rikuperimit, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së infeksionit.