Shkruan: Florim Zeqa, 16.01.2025

Vota inatçore përcakton fituesin e zgjedhjeve të 9 shkurtit!

Jo të gjithë qytetarët e vendit janë duke u angazhuar për ndryshime në këtë vend. Bashkëfajtor janë të gjithë ata të cilët me votën e tyre po i mbajnë në pushtet këtë klasë injorantësh dhe kusarësh politikë.

Në mungesë bojkoti, do të fitojë hipokrizia politike

Para se të lëshohem në analizën politike parazgjedhore, zgjidhja më e mirë do të ishte bojkoti total i këtyre zgjedhjeve, si e vetmja mundësi për ndëshkimin e përgjithshëm të kësaj klase politike, por meqenëse kjo është e pamundur të ndodhë, atëherë, duhet një reflektim maksimal i elektoratit deri në ditën e votimit.

LDK-ja si partia më e vjetër dhe me traditën më të gjatë demokratike, do ta ketë të vështirë të shënojë ngritje numerike nga zgjedhjet e kaluara shkaku i injorimit dhe mospërfshirjes së themeltarëve në listën zgjedhore. Megjithatë, ekziston një mundësi imagjinare për rimëkëmbjen numerike të LDK-së, ajo është tek “ringjallja” e ëngëllit Rugovë!

PDK si partia më e madhe opozitare në Kosovë, e tillë pritet të mbetet edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Kur jemi tek PDK-ja, vlenë për t’u theksuar se, për dallim nga LDK-ja, edhe pas ndarjes së NISMA-s, ajo arriti ta ruaj elektoratin e saj besnik.

AAK si subjekti i tretë opozitarë, në të gjitha zgjedhjet ka arritur ta ruaj konstancën e subjektit politik me ngritje dhe rënje të lehta, duke u bërë pjesë konstruktive e pothuajse të gjitha qeverisjeve të pasluftës. Bashkimi me NISMA nuk do ta ndihmojë më shumë sesa bashkimi me PSD-në katër vite më parë.

Koalicioni për Familjen me vetëm 72 deputet në garën zgjedhore mund të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve dhe atë si rezultat i suportit nga biznesmeni më i njohur në trevat shqiptare, i liderit të AKR-së, z. Behgjet Pacolli.

Qëllimisht e lash për fund partinë e parë politike, LVV-në e cila erdhi në pushtet me grumbullimin e të gjitha ideologjive politike, duke e kthyer Lëvizjen në deponi të të pakënaqurve politikë, por jo edhe në forcë reale të ndryshimit pozitiv politik.

Përmbajtja nga brenda, e të gjitha llojeve dhe ngjyrave politike, e bën LVV-në subjektin më heterogjen të skenës politike kosovare.

LVV-ja sot më shumë i ngjet një lumi të vërshuar sesa një oqeani të qetë. Në të ardhmen e afërt kur lumi (LVV) të kthehet në shtratin e vet, do të shihet realisht sasia dhe pastërtia e kësaj force politike.

Arsyeja pse LVV-ja nuk paraqet ndryshim substancial për vendin, është fakti se brenda saj ka eksponent që deri dje ishin pjesë e keq-qeverisjes, e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e kapjes së institucioneve të shtetit dhe e uzurpimit të pronave publike.

Djajtë me një të ndërruar të gzofit nuk kthehen në ëngjuj, por ëngjujt mund të kthehen në djajë brenda natës!

Për dallim nga herat e tjera, kësaj radhe vota qytetare nuk do të jetë shprehje e vullnetit të lirë, por votë inatçore, e shprehjes së urrejtjes individuale e motivuar po ashtu për hakmarrje personale dhe partiake.

Florim Zeqa, 17 Janar 2025

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume