Zv.kryeministri i RMV-së, Arben Fetai, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për fitoren në zgjedhjet e së dielës.

“Kur të gjithë u bënë kundër, populli e bëri fitues! Urime, Albin Kurti!

Urime të përzemërta Albin Kurtit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! Kjo fitore është një dëshmi e qartë se e drejta triumfon, pavarësisht sulmeve, shpifjeve dhe makinerisë propagandistike. Media, mercenarë të paguar, shërbime inteligjente dhe figura të dëshpëruara politike u mobilizuan, por populli i Kosovës foli qartë dhe me vendosmëri.

Dhe ndër të gjitha sulmet, nuk mund të mos e përmendim një sulm të veçantë, që më shumë se serioz, ishte i gërditshëm. Ali Ahmeti i bëri thirrje popullit të Kosovës të mos e vendosë veten “në të njëjtën pako me Rusinë dhe Bjellorusinë”.

Një njeri që vetë u përpoq të mbajë në pushtet Gruevskin, që e mbajti vendin të izoluar për dy dekada, që qeverisi me njerëz të listave të zeza amerikane, papritur doli të japë leksione për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe orientim pro-perëndimor. Nëse nuk do ishte për të qeshur, do ishte për të qarë!

Prandaj, sot nuk kemi veçse një mesazh për Albinin: punë të mbarë, Kryeministër!”, ka shkruar Fetai.