“Ne besojmë se stema shtetërore pasqyron mjaftueshëm të gjitha karakteristikat heraldike të këtij rajoni. Të qarta janë edhe dobitë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, nuk ka ndarje në etni. Nëse do të ketë një iniciativë të tillë, ne do ta kundërshtojmë me forcë ndryshimin e stemës shtetërore me të gjitha mjetet demokratike”. Kështu është përgjigjur në pyetje gazetareske kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në lidhje me çështjen për ndryshimin e stemës shtetërore, të cilën si temë e hapi kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, raporton Portalb.mk.

Filipçe i bëri thirrje qeverisë që të përgjigjet nëse ka pasur ndonjë diskutim brenda koalicionit VMRO-DPMNE dhe VLEN për ndryshimin e himnit kombëtar.

Ndryshe, pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut është rihapur nga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski. Ai konfirmoi dje se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore,

Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.

Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë. Por, bashki të ndryshme në Shqipëri përmbajnë simbole të ndryshme kafshësh. Për shembull, në stemën e bashkisë së Pogradecit qëndron gjarpri. Megjithatë, simbolet e tilla nuk janë perceptuar si simbole etnike, por vetëm si lokale.

Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume