Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot ishte pjesë e përfundimit zyrtar të projektit për përforcimin e kapaciteteve administrative në nivel qëndror dhe lokal, për zbatimin efektiv të legjislacionit evropian në fushën e ndotjes industriale.

Mexhiti, në aktivitetin përmbyllës, ku ishin të pranishëm edhe partnerët, ambasadori i BE-së Mihalis Rokas dhe ambasadorja e Republikës së Greqisë Sofia Filipidu, falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen që marrim në aktivitetet përgatitore për anëtarësim në BE.

‘Direktiva e re e emisioneve industriale paraqet instrumentin kryesor për parandalimin e emetimeve nga aktivitetet e mëdha industriale. Zbaton një qasje integrale, e cila synon parandalimin dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit nga të gjitha aspektet si ajri, toka, uji, përdorimi i burimeve, energjisë, si dhe gjenerimi i mbeturinave nga vetë aktivitetet industriale. Gjithashtu i përcakton parimet bazë për dhënien e lejeve dhe kontrollin bazuar në zbatimin më rigoroz të teknikave më të mira të disponueshme’, tha para të pranishmëve zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.

Direktiva e re zëvendëson shtatë direktiva ekzistuese të mëparshme në lidhje me aktivitetet industriale dhe përshkruan kushte detyruese të funksionimit për instalimet, që janë më të rrepta se kërkesat që zbatoheshin në legjislacionin e mëparshëm të BE-së.

Vlera e projektit është një milion euro me kohëzgjatje 24 muaj dhe zbatimi i tij ka filluar më 1 mars 2023. Partner në zbatim ka qenë Republika e Greqisë përmes Qendrës për të Drejtën Ekonomike Ndërkombëtare dhe Evropiane.

Projekti përbëhej nga tre komponentë, brenda të cilëve u përgatit legjislacioni parësor dhe sekondar në përputhje me Direktivën e re, e cila përfshin përgatitjen e Ligjit për Kontrollin e Emisioneve Industriale, si dhe aktet nënligjore që dalin prej tij, si dhe forcimin e kapaciteteve të administratës qendrore dhe lokale për zbatimin e duhur të dispozitave të reja ligjore, nëpërmjet përgatitjes së manualeve dhe udhëzimeve praktike, si dhe udhëzuesve për zbatimin e udhëzimeve, trajnimeve dhe udhëzimeve praktike, analiza, vlerësimi dhe përgatitja e lejeve pilot A dhe B.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, shprehu besimin në realizimin e suksesshëm të rezultateve të projektit, të cilat do të kontribuojnë në zhvillim progresiv dhe pozitiv në rajon.