Me propozim të shumicës parlamentare, komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive votoi nevojën për mbajtjen e një debati publik, për të analizuar dhe diskutuar rreth përmirësimit të rregullores ligjore, me qëllim përforcimit të sigurisë në komunikacion. Duke prezantuar propozim ndryshimet, deputeti Nikolla Micevski kërkoi nga deputetët që çështja të mos politizohet.

“Siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet për të gjithë e kjo do të thotë ndryshime në ligje të cilat do të sigurojnë mbrojtje, parandalim dhe reagime profesionale institucionale. Bëjmë thirrje deri te të gjithë se qëllimi për debat profesional është prioritet dhe si shumicë parlamentare nuk do të lejojmë politizimin e kësaj teme. Neve na duhen zgjidhje të qëndrueshme e jo nekrofili politike dhe keqpërdorimin e momentit”, tha Nikolla Micevski – VMRO-DPMNE.

Nevojën për debat e mbështetën E Majta dhe Fronti Evropian

“Edhe pse e mbështesim, ndoshta më e mençur do të ishte të kemi diskutim mbikëqyrës për implementimin e rregullores dhe keqpërdorimin e saj. Jo vetëm të diskutojmë për disa zgjidhje ligjore por gjithsesi tani është koha ta mbështesim këtë iniciativë për debat publik dhe ne do ta mbështesim”, u shpreh Amar Mecinoviq –E Majta.

“Besoj se nga debati publik do të dalin edhe propozime tjera të cilat do ta sfidojnë rregullimin edhe çështjeve të tjera të cilat kanë të bëjnë drejt për drejtë edhe me drejtësinë, sistemin e drejtësisë në përgjithësi për shkak se kemi parë dhe këtyre ditëve shembullin kur edhe drejtësia sipas vlerësimeve tona nuk ka vepruar konform realitetit objektiv”, theksoi Elmi Aziri – Fronti Evropian.

Debati do të mbahet të premten ku do të ftohen të marrin pjesë institucione dhe organe relevante, organizata civile dhe ekspertë. Kjo iniciativë vjen pas presionit të protestuesve për vrasjen e 22 vjeçares Frosina Kullakova natën e 29 janarit. Ata kërkojnë drejtësi dhe dënime më të ashpra për vozitësit “e tërbuar” në komunikacion.