Monumenti ikonik i Pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, edhe këtë vit do të marrë një pamje të re, këtë herë me një koncept që pasqyron zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.
Koncepti i realizuar nga Fisnik Ismaili, synon të bashkojë organiken me dixhitalen, duke reflektuar ndikimin që ka inteligjenca artificiale në jetët tona të përditshme.
“E pëlqen apo e urren, e deshte apo ia pate frikën, Inteligjenca Artificiale është këtu, edhe çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë integrale e jetëve tona”, ka shkruar Ismaili në një postim në Facebook.
Instituti përgjegjësi për mbrojtjen e monumenteve ka konfirmuar këtë koncept dhe punimet kanë filluar të premten e që po vazhdojnë edhe sot.
Një ekip prej më shumë se 10 artistë janë duke punuar momentalisht në transformim të monumentit historik.
Gjithçka pritet të përfundojë të dielën, një ditë para festimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.