Një projekt që synon kryerjen e e punimeve në det dhe mbushjen me rërë të një brezi mbi 3 mijë metra në plazhin e Durrësit synon që të rrisë frekuentimin turistik të kësaj zone që është vijim i Durrës Yacht Marina.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se fituesi i kontratës “Ndërhyrje për rigjenerimin urban, mbrojtje detare në zonën bregdetare: Riprofilimi dhe mbushja me rërë e Vijës Bregdetare nga Ura e Dajlanit deri tek Godina e Kavalishencës, Durrës” me një fond limit 583 milionë lekë apo 5.8 milionë euro u fitua nga kompania Vëllezërit Hysa me një ofertë sa 63 për qind e fondit limit. Kompania synon që me 3.65 milionë euro të kryejë ndërhyrjen e parashikuar.
Referuar dokumenteve të bëra publike FSHZH argumenton se bregdeti i Durrësit në Jug të portit, nga fundi i Portit e deri tek fundi i Shëtitores së re tek Godina e Kavalishencës ka një breg ranor që nuk është në madhësi të konsiderueshme që të shërbejë dhe për rritjen dhe zhvillimin e turizmit.
“Në zonën e Portit të Durresit po zhvillohet një investim i njohur si Durrës Yacht Marina që synon dhe krijimin e një zone të re bregdetare. Pranë këtij investimit Zona ranore e bregut të detit është shumë e reduktuar dhe ka një gjerësi prej rresh 15 deri në 20 m Disa struktura turistike në këtë pjesë kanë investuar duke ndërtuar zona artificiale të rrethuara me konstruksione betoni dhe duke e mirëmbajtur herë mbas here.
Në pjesën tjetër të bregut nga skela( Hawai Beach Bar ) e deri tek fundi i shëtitores pranë pistës së vogël Iliria kemi një gjerësi të bregut të detit nga 15‐20 m ne fillim e deri ne 40‐50 m pranë pistës Iliria”, thuhet në dokument.
I njëjti argumenton se kjo zonë e plazhit pranë shëtitores nuk mund të luajë plotësisht rolin e mbështetjes së turizmit, siç është e natyrshme për një qytet bregdetar si Durrësi, duke mos qenë në gjendje, me ndonjë përjashtim të vogël, për të ofruar shërbime cilësore për turistët dhe vendasit që duan ta shfrytëzojnë atë, ka nevoje për një riprofilim dhe mbushje me rërë e vijës bregdetare.
“Me qëllim përmirësimin e situatës së lartpërmendur, duke i dhënë kësaj zone të rëndësishme të qytetit një pamje të re, moderne dhe tërheqëse nga pikëpamja turistike, është parashikuar që kjo vijë bregdetare të zgjerohet me një gjerësi mesatare prej rreth 100 m duke u nisur nga kufiri i shëtitores së re.
Ky zgjerim do të rikonfigurojë dhe vijën bregdetare duke e uniformizuar atë. Objekt i këtij raporti është përshkrimi i rehabilitimit të plotë të një brezi me shtrirje rreth 3168 m përgjatë zonës që do të arrihet nëpërmjet punimeve në det për rindërtimin e morfologjisë së plazhit, që do të kryhen nëpërmjet një rimbushjeje artificiale të plazhit dhe krijimin e një strukture për të ndare zonën e zhvillimit të projektit Durrës Yacht Marina dhe zonën e plazhit publik nga Ura e Dajlanit e deri tek Godina e Kavalishencës”, thuhet në dokument./ Monitor.al