Padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për deponinë ‘helmuese’ në Strugë
Në afërsi të Strugës ndodhet një deponi ilegale, për të cilën vendim do të marrë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në Strasburg, sipas Alsat.mk, aktivistët do të kërkojnë drejtësi për deponinë që po helmon struganët me vite të tëra, pasi Gjykata e Apelit në Manastir këtë javë e konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore në Strugë.
Të dyja gjykatat besojnë se nuk janë kompetente për të vendosur për këtë çështje
Shoqata e Juristëve të Rinj ka paditur Komunën e Strugës, Ministrinë e Mjedisit dhe Ndërmarrjen Komunale Publike të Strugës, duke kërkuar që të ndalohet hedhja e mbeturinave në deponinë e cila ndodhet në afërsi të qytetit dhe fushës, si dhe të pastrohet dhe revitalizohet zona.
Rreth 40 mijë ton mbetje hidhen çdo vit në deponi, që mbulon një sipërfaqe sa katër fusha futbolli. Zhvendosja e deponisë ishte një nga premtimet kryesore të kryetarit të komunës së Strugës, Merko, në mandatin e tij të mëparshëm.