Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i njofton banorët e komunës së Vrapçishtit se pas një kontrolli inspektues në IPKKF “Pranvera” në Vrapçisht, është konstatuar se komuna e Vrapçishtit, pasi i janë hequr kompetencat kryetarit të komunës për pjesën e emërimit të ushtruesit të detyrës drejtor të institucionit dhe caktimin e ushtruesit të detyrës drejtor të institucionit nga Ministria, e ka marrë automjetin e institucionit parashkollor (në pronësi të komunës), edhe pse në qershor të vitit 2021 i është dhënë institucionit parashkollor në përdorim për një kohë të pacaktuar.
Deri më 31.01.2025, kur është bërë ndërrimi ligjor i ushtruesit të detyrës drejtor të institucionit, institucioni parashkollor e ka shfrytëzuar automjetin për të shpërndarë ushqime për 40 fëmijët e përkujdesur në objektin në fshatin Dobridoll.
Që atëherë deri më sot, shpërndarja e ushqimit kryhet në kushte të vështirësuara me ndihmën e automjeteve private.
Sërish, kryetari i komunës së Vrapçishtit dhe komuna e Vrapçishtit po bëjnë shkelje të rëndë të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, duke pasur parasysh se sipas të njëjtit ligj ata janë themelues të institucionit parashkollor dhe janë përgjegjës për mbarëvajtjen e funksionimit të institucionit, por në këtë rast, duke penguar operimin e përditshëm të punës, respektivisht duke marrë automjetin për shpërndarjen e ushqimit, bëjnë shkelje të rëndë të autorizimeve të tyre në dëm të banorëve të tyre më të vegjël të komunës – fëmijëve.

Që ironia të jetë më e madhe, sot, më 10 shkurt 2025, me urdhër të komunës, në objektin kryesor të kopshtit të fshatit Vrapçisht, që është pjesë përbërëse e shkollës, është shkyçur ngrohja dhe rryma në temperaturën -5 gradë celsius.

Përveç shkeljes së rëndë të ligjit, kryetari i Komunës së Vrapçishtit me aktin e fundit i ka shkelur edhe të drejtat e fëmijëve sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.