STUDENTËT NISIN PROTESTËN 15-ORËSHE NË KRAGUJEVC!

Në Kragujevc ka nisur tubimi dhe protesta 15-orëshe e studentëve nga e gjithë Serbia me moton “Takohemi në Sretenje” pikërisht në ditën kur Serbia shënon ditën e shtetësisë.

Studentë nga Beogradi, Novi Sadi, Nishi, Çaçaku, Kraleva, Novi Pazari dhe qyteteve tjera, në Kragujevc kishin mbërritur në këmbë, me biçikleta apo duke vrapuar. Rrugëtimi I tyre ka zgjatur me ditë të tëra.

Sipas paralajmërimeve tubimi do të zgjasë deri në 7 minuta pas mesnatës, kurse gjatë kësaj kohe, studentët dhe qytetarët dy herë me nga 15 minuta heshtje do të nderojnë viktimat e tragjedisë së Novi Sadit.

Ndryshe në protestat që tashmë me muaj të tërë kanë paralizuar Serbinë, janë të bllokuar së paku 63 fakultete të 5 Universiteteve shtetërore, dy fakultete private dhe 4 shkolla të larta profesionale.

Pavarësisht zotimeve të autoriteteve serbe se kanë përmbushur kërkesat, studentët vazhdojnë të kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë të rikonstruimit të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, të hiqen akuzat kundër studentëve dhe aktivistëve që kanë marrë pjesë në protesta, të procedohen penalisht sulmuesit e studentëve dhe të rritet për 20% buxheti për fakultetet.

Në hije të protestave studentore ka kaluar edhe shënimi I përbashkët I ditës së shtetësisë së Serbisë dhe Republika Sërpska në Banjallukë.

Mediat e pavarur serbe shkruajnë se për shkak të presionit të protestave, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka vendosur që kjo ditë të shënohet në Republika Sërpska e jo në Beograd.

Gjatë një press-konference të përbashkët me Presidentin e Republika Sërpska, Milorad Dodik, Vuçiqi është pyetur edhe për zhvillimet në Vojvodinë.

Ai tha se fuqi të huaja duan të shkaktojnë krizë të re në Serbi, duke mos harruar të përmend Kosovën por edhe Malin e Zi.

ALEKSANDAR VUÇIQ – President i Serbisë

“Pas gjithë protestave politike që janë organizuar nga jashtë, keni dëgjuar për protestat për rrëzimin e Milosheviqit, se si kanë shkuar për të marrë paratë në Budapest, e kanë ditur mirë se Mali I Zi duhet të shkojë dhe kjo ishte kusht që Kosova të shpallte pavarësinë. Tani qartë shihet përmes deklaratave politike në protestat e Novi Sadit se tashmë duan që këtë ta bëjnë edhe me Vojvodinën.”

Ndërkohë, autoritetet e Serbisë janë duke zbatuar aksione policore kundër korrupsionit, ku janë arrestuar dhjetëra zyrtarë nën dyshime për mashtrime financiare.