Premtimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’i dhënë fund shpejt luftës së Rusisë kundër Ukrainës mori një kthesë të papritur kur i dërguari i tij tha se administrata do të donte që Kievi të mbante zgjedhje, potencialisht këtë vit dhe veçanërisht nëse arrihet një armëpushim.
Deklaratat e Keith Kellogg e nxorën në pah një çështje të ndjeshme dhe të pazgjidhur në politikën ukrainase, ndërsa përpjekjet e SHBA-së për të nisur bisedimet e paqes po shtohen dhe Kremlini po kërkon të diskreditojë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke pretenduar se ai është jolegjitim.
Në një intervistë për Reuters më 1 shkurt, Kellogg tha se zgjedhjet në Ukrainë “duhet të mbahen” dhe mund të zhvillohen pas një marrëveshjeje armëpushimi, diçka që ai ka thënë se mund të arrihet brenda disa muajsh.
“Shumica e vendeve demokratike mbajnë zgjedhje edhe gjatë kohës së luftës. Mendoj se është e rëndësishme që ato të mbahen”, tha Kellogg për Reuters. “Mendoj se është e dobishme për demokracinë. Kjo është bukuria e një demokracie të fortë: ke më shumë se një person që mund të kandidojnë”.
Por, Zelensky ka deklaruar se zgjedhjet do të mbahen vetëm pasi të përfundojë faza aktive e luftës dhe të shfuqizohet gjendja e luftës. Në një intervistë me gazetarin britanik, Piers Morgan, ai theksoi se mbajtja e zgjedhjeve tani do të ishte e pamundur për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe sfidave logjistike, përfshirë mënyrën se si do të votonin ushtarët, qytetarët e zhvendosur dhe njerëzit në territoret e pushtuara.
Mikhail Alexeev, një politolog në Universitetin Shtetëror të San Diegos që fokusohet te Rusia dhe Ukraina, tha se administrata e Trumpit ka gjasa ta ketë ngritur çështjen e zgjedhjeve me shpresën se mund ta lehtësojë procesin e negociatave. Por, ai tha se kjo mund të jetë në favor të Rusisë, duke e quajtur atë një “manovër të rrezikshme dhe një lojë politike nga Kremlini”.
Putini ka thënë në mënyrë të përsëritur se Moska është e hapur për bisedime, por shumë ekspertë dyshojnë se ai do të vepronte me sinqeritet. Ata thonë se Putini do t’i përdorte negociatat për të krijuar imazhin e një aktori bashkëpunues, ndërsa do të fitonte kohë për të përmirësuar më tej pozicionin e Rusisë në terren në Ukrainë, ku ka bërë përparime – megjithëse me një kosto të madhe në jetë njerëzore – që shumë muaj.
“Nëse Putini arrin të vonojë administratën e SHBA-së edhe për disa muaj, atëherë ai mund të ushtrojë më shumë presion në fushën e betejës”, tha Alexeev.
Putini ka thënë vazhdimisht se Zelensky nuk do ta ketë autoritetin për të nënshkruar një marrëveshje paqeje, duke pretenduar se ai është jolegjitim sepse mandati i tij pesëvjeçar ishte planifikuar të përfundonte në maj të vitit 2024, pas zgjedhjeve presidenciale të marsit.
Por, Kushtetuta e Ukrainës e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve në kohën kur shteti është në gjendje lufte, që u shpall nga Zelensky kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë në shkurt të vitit 2022 dhe – ashtu si pushtimi – vazhdon edhe sot pas disa zgjatjeve të njëpasnjëshme.
Megjithatë, ukrainasit kanë debatuar për rëndësinë e mbajtjes së një zgjedhjeje presidenciale që nga viti 2023, kur ky debat u ndikua nga presioni perëndimor dhe propaganda ruse.