Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje që Ukraina të mbajë zgjedhje, ndërsa mosmarrëveshja e tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky u intensifikua teksa SHBA-ja është angazhuar në bisedime paqeje me Rusinë në të cilat deri më tani Kievi është përjashtuar.

“Është e mrekullueshme të thuash nuk mund të kemi zgjedhje, por është koha për zgjedhje, dhe është gjithashtu koha për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me të gjitha paratë, sepse ai bëri deklaratë se gjysma e parave, ai nuk e di se ku janë, apo diçka të tillë”, tha Trump duke iu referuar komenteve të bëra nga Zelensky gjatë një interviste për shtyp në fillim të këtij muaji.

“Dhe mund t’iu them, ne po kalojmë shumë mirë me Rusinë. Do të bëjmë diçka me Rusinë të cilën ai nuk ishte në gjendje ta bënte. Mund të bëjmë një marrëveshje me Rusinë për të ndaluar vrasjen e miliona njerëzve të tjerë”, shtoi ai.

Ukraina do të zhvillonte zgjedhjet në prill 2024 kur mbaroi mandati presidencial pesëvjeçar i Zelenskyt, por vendi aktualisht është nën një gjendje të ligjit ushtarak për shkak të pushtimit gati trevjeçar të Rusisë në lindje të vendit.

Kremlini ka pushtuar veçmas Gadishullin e Krimesë të Ukrainës që nga viti 2014.

Komentet e presidentit erdhën pasi zyrtarët amerikanë dhe rusë u takuan në Arabinë Saudite të martën për bisedimet e para të nivelit të lartë që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022. Bisedimet përfunduan me delegacionet që ranë dakord të zhvillonin raunde shtesë diskutimesh për përfundimin e luftës dhe përmirësimin e lidhjeve dypalëshe.

Zelensky ka kritikuar mospërfshirjen në negociata si dhe pretendimet e Trumpit se ishte Ukraina, jo Rusia, ajo që filloi luftën.

“Ne e kemi parë këtë dezinformim dhe e kuptojmë se e ka origjinën nga Rusia. Fatkeqësisht, Trump është bllokuar në këtë hapësirë ​​dezinformimi”, tha Zelensky të mërkurën.

Trump u kundërpërgjigj, duke e quajtur Zelenskyn “diktator pa zgjedhje”.

I pyetur nga gazetarët nëse ai u beson rusëve për të negociuar me mirëbesim në vijim, Trump tha “po dhe mendoj se rusët duan ta shohin fundin e luftës”.

Komentet e presidentit amerikan mbi atë se Zelensky nuk e di se ku kanë shkuar miliarda dollarë nga ndihma amerikane i referohen një interviste që ai dha për Associated Press që u publikua më 2 shkurt.