Institucionet e sigurisë janë duke vazhduar hetimet për rastin e vdekjes së tre fëmijëve në fshatin Jabllanicë të Gjakovës para disa javës, si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar. Policia e Prokuroria thanë se po kryejnë veprimet e nevojshme porse ende nuk dihen rrethanat e tragjedisë.

Kanë kaluar tri javë qëkur tre fëmijë humbën jetën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, si pasojë e shembjes së një objekti të vjetër.

Ky i fundit sipas autoriteteve lokale, ishte një ndërtesë e vjetër e pabanuar, e mbetur e tillë që nga viti 1999.

Sipas deklarimeve të familjarëve, të miturit ishin duke luajtur në objektin në fjalë kur objekti ishte shembur e zbuluar më vonë, gjatë kërkimit të prindërve.

Hetimet nisën nga organet për të determinuar shkaqet e njëheri, edhe përcaktimin se a pati neglizhenca që mund të kenë pasur ndikimin e vet.

Por ndonëse kanë kaluar javë, nuk ka ndonjë risi në të gjetura.

“Jo deri tani. Hetimet nuk kanë përfunduar. Të gjitha veprimet e nevojshme janë duke u ndërmarrë në koordinim me prokurorin kompetent”, ka deklaruar Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës.

Në detaje të tjera lidhur me hetimet, është kursyer edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.

“Lidhur me pyetjet tuaj, ju njoftojmë se rasti është duke u trajtuar në koordinim me Policinë e Kosovës, dhe janë autorizuar për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve lidhur me këtë rast”, ka theksuar Drin Domi, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Të shtunën e dy shkurtit, nga pamjet e kamerave në afërsi, shihej se objekti ishte shembur rreth orës 16:35.

Ndërkaq, trupat e viktimave ishin gjetur pas gati gjashtë orëve kërkim.

Televizioni është përpjekur të kontaktojë edhe me Drejtorinë e Infrastrukturës së Komunës së Gjakovës për të parë nëse e njëjta ka inspektuar vendin e ngjarjes ose ka të dhëna të tjera por zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume