Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është larguar prej Shtëpisë së Bardhë, pas një diskutimi të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump.

Zelensky i ka kërkuar Trumpit të jetë më i kujdesshëm me Rusinë, ndërsa Trump e ka akuzuar se nuk është duke treguar respekt, dhe si rezultat është tensionuar situata.

Dy liderët janë takuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, dhe më pas ishte planifikuar që të nënshkruanin një marrëveshje që do t’iu jepte qasje Shteteve të Bashkuara në industrinë e mineraleve të Ukrainës.

Një konferencë e planifikuar për media, veçse është anuluar.


Zelensky duke u larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Reagimet pas takimit
Trump ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Truth Social se “presidenti Zelensky nuk është gati për paqe, nëse në të përfshihet Amerika, sepse ai beson se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata”.

“Nuk dua avantazh, dua PAQE. Ai nuk i ka respektuar Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”, ka thënë mes tjerash Trump.

Zelensky, në anën tjetër, e ka falënderuar Amerikën për mbështetjen dhe për vizitën.

“Faleminderit presidentit, Kongresit dhe popullit amerikan. Ukraina ka nevojë për paqe afatgjatë dhe jemi duke punuar për këtë”, ka thënë ai përmes një postimi në X – dikur Twitter.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka falënderuar Trumpin përmes një postimi në X, duke thënë se ai e ka mbrojtur Amerikën “në një mënyrë që asnjë president nuk ka pasur kurajë ta mbrojë më parë”.

“Faleminderit që e vendosët Amerikën të parën, Amerika është me juve”, ka thënë mes tjerash ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë për mediat nga Portugalia se “agresorja është Rusia”.

“Mendoj që kemi pasur të drejtë kur i kemi ndihmuar Ukrainës dhe kur e kemi sanksionuar Rusinë tre vjet më parë, dhe do të vazhdojmë të bëjmë ashtu”, ka thënë ai për mediat.

Çfarë ndodhi?
Zelensky e ka sfiduar hapur Trumpin për qasjen, siç ka thënë ai, të butë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Zelensky i ka hedhur poshtë pretendimet e Trumpit se qytetet ukrainase janë kthyer në gërmadha pas tre vjetëve të luftës. Trump, në anën tjetër, ka thënë se Putin dëshiron të arrijë një marrëveshje.

“Nuk jeni duke u treguar falënderues. Nuk është gjë e mirë”, ka thënë Trump, i cili ka marrëdhënie të vështirë me Zelenskyn, prej kur ky i fundit është zgjedhur president më 2019.

“Në këtë situatë do të jetë shumë e vështirë që të bëjmë biznes”, ka shtuar ai.

“Jeni duke luajtur bixhoz me jetët e miliona njerëzve”, ka thënë Trump.

“Jeni duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore, dhe kjo që po bëni është shumë pa respekt ndaj shteti që ju ka mbështetur shumë më shumë sesa njerëzit e thonë”.

Në një situatë të pazakonshme, Trump dhe Zelensky e kanë ndërprerë njëri-tjetrin dhe presidenti amerikan i ka thënë homologut të tij, “shteti juaj është në telashe të mëdha. Nuk jeni duke fituar… keni mundësi të dilni prej kësaj situate me ndihmën tonë, sepse ju nuk i keni kartat në duart”.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance është përfshirë në diskutime, dhe i ka thënë Zelenskyt se nuk është e hijshme që të mbajë këtë qëndrim në Shtëpinë e Bardhë.

“Njerëzit janë duke vdekur, jeni duke mbetur pa ushtarë”, i ka thënë Trump Zelenskyt, teksa diskutimi ka degjeneruar me ngritje të zërit.

Trump i ka thënë Zelenskyt se ai, ose duhet të arrijë një marrëveshje, ose SHBA-ja tërhiqet.

Zelensky i ka bërë thirrje Trumpit të mos bëjë “kompromise me një vrasës” duke iu referuar liderit rus.

Para këtij shkëmbimi, Zelensky u ka thënë gazetarëve brenda Shtëpisë së Bardhë se shpreson që marrëveshja për minerale do të jetë një hap përpara për Ukrainën dhe që dëshiron të diskutojë më në hollësi me Trumpin se çfarë mund të bëjë SHBA-ja për vendin e tij.

Trump ka thënë se marrëveshja do të jetë “shumë e drejtë” dhe që armëpushimi në luftën e Rusisë kundër Ukrainës është “afër”. Presidenti amerikan ka thënë se Ukraina do të duhet të bëjë kompromise.

Takimi është zhvilluar më pak se 10 ditë pasi Trump e ka quajtur Zelenskyn diktator dhe ka sugjeruar gabimisht se Ukraina e ka nisur konfliktin, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

Megjithatë, dy liderët janë zmbrapsur nga lufta e fjalëve, teksa janë përgatitur për t’u takuar ballë për ballë./REL