Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet sot në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa sipas mediave, ai do të kërkojë garanci sigurie dhe ndihmë për të parandaluar një sulm të ri të mundshëm nga Rusia.

Gjatë vizitës në Uashington, delegacioni ukrainas pritet të nënshkruajë një marrëveshje ekonomike me SHBA-në, e cila parashikon krijimin e një fondi të përbashkët investimesh për rindërtimin e Ukrainës, raportoi Associated Press.

Sipas projekt-marrëveshjes, Kievi do të ndajë 50% të të ardhurave nga burimet natyrore për këtë fond. Zelenskyj këmbëngul që marrëveshja ekonomike duhet të shoqërohet me garanci konkrete sigurie.

Megjithatë, Trump deklaroi se nuk do të ofrojë shumë garanci sigurie, pasi sipas tij, këtë do ta bëjë Evropa.

Gjatë takimit të djeshëm me kryeministrin britanik Keir Starmer në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ka “respekt të madh” për presidentin ukrainas.

I pyetur nga BBC nëse do t’i kërkojë falje Zelenskyjt për ta quajtur “diktator” disa kohë më parë, Trump u përgjigj se nuk e kujton një deklaratë të tillë, por shtoi se Zelenskyj është “shumë i guximshëm”.