Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke uruar Estoninë për Ditën e Pavarësisë, paralajmëroi se vendet me një popullsi të madhe me prejardhje ruse mund të jenë objektivat e ardhshme të Moskës.

Sipas tij, momenti më i rrezikshëm ndodh kur vendet e Evropës Lindore kanë një popullsi me “rrënjë ruse” – jo sepse këta njerëz përbëjnë një kërcënim, por sepse Kremlini mund ta përdorë sigurinë e tyre si pretekst për një pushtim.

Ai përmendi Poloninë, Sllovakinë, Letoninë, Moldavinë dhe Estoninë si vende potencialisht të rrezikuara, duke kujtuar një skenar të ngjashëm nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe nisi pushtimin e Donbasit, shkruan “Sky News”.

“Fillimisht pretendonin se nuk po pushtonin territoret tona, por po mbronin popullin rus,” tha Zelensky, duke theksuar se në rast të një disfate të Ukrainës, të gjitha këto vende mund të jenë në rrezik për shkak të politikës ruse dhe konceptit të “botës ruse”.

Duke folur për të ardhmen pas tre vitesh lufte, presidenti ukrainas shprehu shpresën se konflikti do të përfundojë këtë vit dhe jo pas tre vitesh. Ai nënvizoi rëndësinë e garancive të sigurisë për të parandaluar rikthimin e forcave ruse.

“Nëse i shtyjmë dhe i kthejmë në territorin e tyre, dhe nëse Ukraina bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s, kjo do të na ndihmojë shumë. Mendoj se atëherë nuk do të kthehen – do të kemi një ushtri të fortë, aleatë të fuqishëm dhe unitet të pathyeshëm,” përfundoi Zelensky.