Avokati Bajraktari tregon arsyen pse Specialja nuk e lejoi Thaçin të merr pjesë në varrimin e babait

Aktakuza e dytë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi po konsiderohet të jetë arsye e mundshme që Gjykata Speciale nuk i dha leje atij të merr pjesë sot në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Haxhi Thaçi.
Avokati Ardian Bajraktari, tha se nuk ka bazë për moslejimin e pjesëmarrjes së Thaçit në varrimin e babait të tij, ngase është vendim jo human dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Bajraktari potencoi se aktakuza e dytë, mund të ketë pasur impakt në lidhje me refuzimin e kërkesës së Thaçit për të ardhur sot në Kosovë.
Gjykata Speciale në Hagë në dhjetor të dhjetor 2024-ës, ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt e Fadil Fazliut, për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë.
“Vlerësoj që nuk ka absolutisht bazë për moslejimin, për faktin se përveçse është një kërkesë e bazuar, edhe në të kaluarën kur kemi pasur raste kur ka aprovuar Gjykata Speciale vizita të tilla, edhe Thaçi, edhe të tjerët iu kanë përmbajtur me përpikëri kërkesave, përkatësisht kritereve të vendosura nga ana e Dhomave të Specializuara. Prandaj, e vlerësoj që një gjë e tillë, nuk do të duhej të ndodhte. Përkatësisht, do të duhej t’i mundësohej pjesëmarrja në varrim. Por, tashmë vlerësoj që ky vendim është në vazhdën e jo pak vendimeve të natyrës absolutisht jo humane. Njëra prej arsyeve që eventualisht mund të ketë ndikuar në një vendim të tillë, përkatësisht moslejim për të marrë pjesë, vlerësoj që akuza e dytë e cila natyrisht siç e kemi thënë edhe herëve të tjera, në bindjen tonë është absolutisht e pabazuar. Megjithatë, kjo mund të ketë pasur impakt në lidhje me këtë çështje”, tha Bajraktari.
Bajraktari u shpreh se ditëve në vijim Dhomat e Specializuara duhet të lejojnë lirimin e Thaçit për të marrë pjesë në të pamen e babit të tij, Haxhi Thaçit.
“Bazuar në praktikën që është ndërtuar prej Dhomave të Specializuara sa i përket çështjeve të tilla, vlerësoj që në ditët në vijim do të duhej të lejohej të merr pjesë zotrin Thaçi në ceremoninë e të pamjes, së paku të çmallet dhe ngushëllohet reciprokisht me familjarët e vet, për këtë vdekje të babait të tillë”, potencoi Bajraktari.
Babai ish-presidentit Thaçi vdiq të dielën, disa kohë pasi u raportua se gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë. Ditë më parë, Thaçi vizitoi të atin në Klinikën Interne pranë QKUK-së, ku tashmë i ndjeri po trajtohej.
Varrimi i tij u bë sot në orën 15:00 në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt.