Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ishte problemi i vërtetë i një takimi mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe atij amerikan, Donald Trump, i cili degradoi në një shfaqje të shëmtuar diplomatike, duke prishur edhe një konference shtypi të parashikuar, si edhe duke zhbërë një marrëveshje të arritur për shfrytëzimin e mineraleve të rralla.

Sipas disa burimeve ukrainase pranë presidentit Zelensky, shkaku i atij degradimi ishte pikërisht Vance dhe komentet e tija.

Një publikim i Economist, bën me dije se Vance u duk i kënaqur që negociatat nuk ndodhën. Teksa, përmend edhe faktin se Zelensky duhet të tregonte forcë, por emocionet e pushtuan retorikën.

Vance, sipas publikimit, ishte i përgatitur për të bërë një shfaqje të tillë dhe ai e mbajti rolin e “prishësit të takimit” me shumë “profesionalizëm”.

Çfarë ndodhi konkretisht?
Një shfaqje, e cila ndoshta në diplomacinë ndërkombëtare moderne, mund të mos jetë parë kurrë.

Tre protagonistë, dy kundër një, të supozuar aleatë të ngushtë në një betejë të përbashkët, por sa duket të ndarë radikalisht tashmë.

Volodymyr Zelensky përballë Donald Trump dhe JD Vance. Historia do të shkruajë në shekullin e ardhshëm këta tre emra.

Një shqetësim dhe një pyetje legjitime e presidentit ukrainas, solli atë që për një president dhe zëvendëspresident amerikan, ishte një shfaqje e parë kurrë ndonjëherë më parë.

Negociatat e Washingtonit dukeshin të ishin futur në shinat e duhura më 28 shkurt, kur Zelensky mbërriti në Shtëpinë e Bardhë dhe pavarësisht disa batutave sporadike dhe të përhershme të Trump rreth veshjes së tij, dukej se në mbyllje të takimit do të kishim firmosjen e një marrëveshjeje për mineralet e rralla mes dy palëve.

Një takim kokë më kokë me mediat e pranishme (format që duhet diskutuar më vete në diplomacinë ndërkombëtare), solli megjithatë shpërfytyrimin e një raporti që dukej i krisur prej ardhjes së Trump në pushtet.

JD Vance bëri thirrje për të punuar me diplomacinë dhe tha në fjalën e tij se Trump ishte zgjidhja për konfliktin në Ukrainë.

Zelensky – me shumë takt duhet thënë – iu drejtua Vance, duke i kërkuar nëse mund t’i shtronte një pyetje dhe mori një reagim pozitiv e të buzëqeshur.

Ajo çfarë Zelensky do të thoshte me shumë legjitimitet, më pas u kthye në shfaqjen më të shëmtuar të pritjes së një lideri të një vendi demokratik në Shtëpinë e Bardhë.

Zelensky parashtron: “A mundet JD të më thoni, për faktin se po flisni për diplomacinë. Rusia na mori Krimenë në vitin 2014. Nuk ishte president zoti Trump sigurisht, por ishte administrata Obama. Dhe ne na morën Krimenë, na sulmuan, na vranë njerëzit. Ne nuk vepruam kundër Vladimir Putin atëherë. Unë vetë u ula në negociata në vitin 2019 dhe nënshkrova. Nënshkrova me Putin armëpushimin. E nënshkrova unë më kuptoni. Ishte Merkel dhe Macron aty dhe nënshkruam.

Firmosëm armëpushim dhe shkëmbim të burgosurish. Putin asnjëherë nuk i liroi të burgosurit dhe më pas në vitin 2022 ai na sulmoi dhe vrau sërish njerëzit tanë. Ku janë garancitë se ai nuk do ta thyejë më armëpushimin nëse arrihet?”.

Qe ky parashtrimi i Zelenskyt, i cili mori nga Vance përgjigjen më shokuese ndonjëherë ndoshta në diplomacinë amerikane: Epo, më thoni, e keni falënderuar ndonjëherë administratën Trump për ndihmën që ju jep?

Një përgjigje që e la sallën të shtangur dhe nxiti sërish angazhimin në debat të Zelenskyt.

Dhe futet Trump…

Me një ton të ashpër dhe të irrituar nga prania e Zelenskyt, Trump tha: “Duhet të jeni mirënjohës. Do të jetë e vështirë të bëjmë biznes kështu. Ju nuk keni mjaftueshëm trupa. Nuk mund të na thoni ne e doni apo jo një marrëveshje armëpushimi”.

Më tej, Trump ia preu shkurtimisht Zelenskyt: “Ose bëni marrëveshje, ose ne largohemi”.

Menjëherë pas i përmendi ndihmat e armëve, duke thënë se po të mos ishte për armatimet amerikane, Ukraina do të ishte pushtuar në dy javë.

Zelensky iu përgjigj aty se këtë fjali e ka dëgjuar nga Vladimir Putin, tre ditë pas luftës.

Më pas, Trump replikoi: “Jeni duke treguar mungesë respekti për vendin tonë. Unë e di se ju (Ukraina) nuk jeni duke fituar”.

Në bisedë më pas është futur edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili i ka thënë Zelenskyt se në Ukrainë nuk kanë mbetur më burra për të luftuar.

Zelensky i është përgjigjur menjëherë: “Ejani dhe shiheni”.

Teksa, Trump, është futur më pas menjëherë për t’i ndarë të dy me një ton edhe më të ashpër, duke i kërkuar Zelenskyt të jetë “më falënderues me të”.

“Unë ju dhashë Javelin (raketa). Obama ju jepte veshje. Kjo është e gjitha. Unë ju dhashë Javelin. Duhet të jeni më falënderues”, i është kthyer atij Zelenskyt, i cili edhe pse kërkoi të fliste, nuk është lejuar nga Trump.

Më tej, ai i tha edhe se Zelensky “po luan kumar me Luftën e Tretë Botërore”.

Ndërsa, pyetjes së gazetarëve nëse do të vijojnë dot negociatat me Zelenskyn pas kësaj, Trump iu përgjigj: Nuk e di, të shohim.

Ajo u pa më vonë, ku sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë, Zelenskyt iu kërkua të largohej dhe të kthehej vetëm kur të ishte i vendosur të arrinte paqen.

Një konferencë e parashikuar për shtyp mes Trump dhe Zelensky, e cila pritej të mbahej pas takimit, është anuluar. Aty do të firmosej edhe marrëveshje, por duket se ajo nuk është më në tavolinë.

Ose ndoshta edhe mund të jetë, por ato 10 minuta përpara kamerave, treguan pozicionime të qarta në tryezë dhe aleatët evropianë – thuajse njëzëri – mbështetën Zelenskyn.