Zëvëndëskryeministri, Arben Fetai, ka njoftuar se sot është takuar me përfaqësues të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ku thekson se temë kryesore e këtij takimi ka qenë lufta e pakompromist ndaj korrupsionit.
“Sot pata një takim konstruktiv me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Diskutuam për domosdonë e përshpejtimit të luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e koordinimit ndër-institucional në zbatimin e strategjisë shtetërore në këtë fushë. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është top prioritet i Qeverisë, dhe ne jemi të vendosur që të rikthejnë besimin e qytetarëve në institucione. Theksova se gjatë qeverisjes së mëparshme ka pasur regres të madh në këtë fushë për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe vendimeve të dëmshme, siç ishte ndryshimi skandaloz i Kodit Penal, që çoi në amnistimin e organizuar të korrupsionit politik”, ka shkruar zëvëndëskryeministri Fetai.
Ai ka shtuar se pjesë e diskutimit ka qenë edhe roli i Trupit ndër-resor të cilin e udhëheq vet ai.
“Gjithashtu, diskutuam për rolin e Trupit ndër-resor për luftën kundër korrupsionit që unë kryesoj në cilësinë e Zëvendëskryeministrit, dhe sigurova të gjithë se do ta transformojmë atë në një mekanizëm koordinues efektiv, duke demonstruar një vullnet të qartë politik dhe duke nxitur bashkëpunimin ndër-institucional – e jo më vetëm një “talk show”, siç ishte në të kaluarën”, ka shkruar mes tjerash Fetai.