Ish nënkryetarja e Lëvizjes Besa, Besa Kadriu në prononcim për TV21 tha se ajo ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e Partisë që para formimit të Qeverisë së re.

“Unë kam reaguar që në momentin kur këta kanë hyrë, janë bërë pjesë e pushtetit, prandaj jam dorëhequr si nënkryetare e Lëvizjes Besa, dhe prej atëherë nuk jam, mirë po jam anëtare në Këshillin Komunal, sepse atje kam legjitimitet, atje njerëzit më kanë votuar. Unë jam këshilltare dhe vazhdoj të jem në komunën e Tetovës”, tha mes tjerash Kadriu.

Ajo thotë se kuvendarët e partisë atë kohë, nuk e kanë pranuar dorëheqjen e saj, ndërsa tregoi disa nga arsyet se pse është dorëhequr nga funksioni i nënkryetares në Lëvizjen Besa.

“Vendimet që i kanë marrë kur kanë hyrë në qeveri, nuk kanë qenë vendime transparente, nuk është marrë asgjë si vendim brenda Kryesisë Qendrore, dhe nga ana tjetër unë e kam bërë këtë për akt moral, për shkak se nuk mundesh ti të jesh nënkryetare e një partie në kohë kur vendimet i ka sjellur dikush tjetër prej jashtë. Atëherë pse rrinë, pse e mban atë pozitë, dhe prandaj kam dhënë dorëheqje, nuk e kanë pranuar kuvendarët e Lëvizjes Besa, mirë po unë e kam dhënë atë me përgjegjësi të plotë, për shkak se nuk e kam parë veten aty të përfshirë. As në bisedime, as askund”, theksoi Kadriu në deklaratë për TV21.