Prokurori publik nga Departamenti i specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, ka lëshuar Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj shtatë zyrtarëve policor. Sipas veprimeve të përshkruara në urdhër, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer vepër penale të krimeve të rënda kundër sigurisë publike. Si zyrtarë të punësuar në SPB Shtip dhe SP Koçai si bashkëkryerës, të dyshuarit me hartimin, nënshkrimin dhe miratimin e pëlqimit pozitiv i kanë mundësuar personit juridik që të marrë licencë për veprimtari hoteliere – kabare edhe pse objekti nuk i plotësonte kushtet ligjore për punë, transmeton Portalb.mk.

“Të dyshuarit të gjithë së bashku kanë shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e njerëzve, duke lejuar që kabareja të punojë në kushte nën standarde dhe më datë 16.03.2025, në objekt ka rënë zjarri në të cilin kanë vdekur 59 persona dhe kanë pësuar lëndime të rënda 196. Duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin për caktimin e masës së paraburgimit për të shtatë personat”, njoftojnë nga Prokuroria.

Paraprakisht, Gjykata Themelore në Koçan deri më tani ka marrë vendime për vazhdimin e masës së paraburgimit prej 48 orësh për dhjetë persona në rastin e zjarrit në diskotekën “Pulse”, ndërsa për gjashtë të tjerët ende pritet vendim. Sipas informacioneve të MIA-së, ende nuk është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit të ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili lidhet me dhënien e licenës.

Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.