Shkruan: Merxhan Jakupi
Carl Gustav Jung, psikoanalisti i shquar zviceran, ka theksuar se njerëzit që kanë arritur lumturinë në jetë kanë kaluar nëpër tre etapa thelbësore:
1. Dashuria prindërore – Një fëmijëri e mbushur me dashuri, përkujdesje dhe mbështetje familjare.
2. Harmonia bashkëshortore – Një martesë e ndërtuar mbi mirëkuptimin, respektin dhe dashurinë reciproke.
3. Pasioni për profesionin-Ushtrimi i një zanati apo profesioni që e duan me shpirt dhe që u sjell përmbushje.
Në dritën e kësaj filozofie, një ndër njerëzit që mishëron këto parime është Makbul Idrizi, një imam karizmatik me vizion reformues dhe ndikim të madh në komunitetin mysliman në Zvicër.
RRUGËTIMI AKADEMIK DHE TELOGJIK
Makbul Idrizi erdhi në Zvicër si fëmijë, bashkë me familjen e tij. Pas përfundimit të shkollës profesionale, ai ndoqi thirrjen e shpirtit dhe vendosi të thellohej në studime teologjike dhe shkencat islame. Për këtë qëllim, ai u regjistrua në një nga universitetet më prestigjioze të botës islame Al-Azhar në Kajro, Egjipt, një institucion i themeluar mbi 1080 vite më parë, nga i cili kanë dalë dijetarë të shquar nga mbarë bota islame.
Zotëri Makbuli përfundoi medresenë dhe fakultetin brenda një periudhe 10-vjeçare, duke u bërë një njohës i thellë i Islamit. Ai vazhdoi më tej studimet pasuniversitare në fikhun krahasues (فقه المقارن), duke analizuar të gjitha shkollat juridike islame (medhhebet).
Sot, ai është pranë përfundimit të magjistraturës në të njëjtin universitet të famshëm dhe është një ekspert i jurisprudencës islame, me një aftësi të jashtëzakonshme për të kuptuar dhe interpretuar ligjin islam në një mënyrë të balancuar dhe progresive.
Pas përfundimit të studimeve, ai u kthye në Zvicër, i pajisur jo vetëm me dije të thella akademike, por edhe me një vizion të qartë për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit mysliman.

NJË IMAM ME VIZION REFORMUES
Makbul Idrizi nuk është një imam i zakonshëm. Ai është një mendimtar i lirë, një kritik i skajshmërive dhe një mbrojtës i Islamit autentik.
Ai shpesh është përballur me kontradikta dhe debate me disa imamë konservatorë dhe tradicionalistë, të cilët, sipas tij, janë të kufizuar në mendime dhe të ngurtë në interpretim. Ai beson se mungesa e njohurive dhe ngurtësia ideologjike ka bërë që Islami, në disa raste, të mbetet i mbyllur në një rreth të ngushtë vicioz, pa reflektuar me kohën dhe nevojat e shoqërisë.
Ai shpesh ka sfiduar imamë të frymëzuar nga shkolla vehabiste dhe selefiste, të cilët, në predikimet e tyre, imponojnë tradita konservative dhe arkaike, duke krijuar një ndarje artificiale mes Islamit dhe realitetit modern.
Sipas tij, Islami është ligji i Zotit, por interpretimi i tij nuk duhet të jetë absolut dhe dogmatik. Ai thekson: “Ne veprojmë sipas shkollave juridike me një qasje të saktë, por jo në mënyrë absolute. Absolutizmi u takon vetëm të Dërguarve të Zotit. Ne, dijetarët, duhet të analizojmë dhe të hulumtojmë, duke e kuptuar fenë në një mënyrë të hapur dhe të arsyeshme”.
Gjithashtu, ai ka argumentuar se prapambetja e botës islame nuk vjen nga vetë Islami, por nga regjimet autoritare, despotike dhe totalitare, të cilat kanë frenuar zhvillimin shkencor, intelektual dhe shpirtëror.
XHAMIA QË BASHKON ZEMRAT DHE FISNIKËRON SHPIRTËRAT
Pas kthimit në Zvicër, Makbul Idrizi, së bashku me miq dhe kolegë të rinj, themeloi një faltore në qytetin Wil, kantoni St. Gallen.
Kjo xhami nuk kaloi pa polemika dhe u përball me kritika dhe akuza, duke u etiketuar nga disa si një qendër e ndikuar nga fraksione selefiste apo vehabiste.
Megjithatë, realiteti është krejt ndryshe.
Kjo xhami është një hapësirë e hapur për mbi 25 komunitete të ndryshme fetare, përfshirë refugjatë nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, si dhe të konvertuar në Islam, përfshirë një të ri hebre, i cili ka pranuar fenë islame pas një udhëtimi të thellë shpirtëror.
Ajo është më shumë se një vend adhurimi – është një qendër e interkulturalizmit dhe kozmopolitizmit. Aty takohen njerëz të racave, kulturave dhe gjuhëve të ndryshme, duke ndërtuar ura komunikimi dhe mirëkuptimi.
Në këtë xhami, Predikimet dhe ligjëratat mbahen në gjuhën arabe dhe gjermane për t’u përshtatur me komunitetin lokal.
Ka një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet zvicerane dhe institucionet vendore. Ofron programe edukative dhe këshillimore për të rinjtë, duke i larguar nga rrugët e krimit, drogës dhe lojërave të fatit. Shërben si një strehë shpirtërore për refugjatët, duke iu ofruar atyre një ndjenjë përkatësie dhe shprese.
Në një botë ku feja shpesh keqinterpretohet dhe abuzohet nga ekstremistët apo dogmatistët, kjo xhami është një shembull i një Islami të hapur, të ndritshëm dhe njerëzor.
Makbul Idrizi nuk është thjesht një imam, por një reformator, një udhëheqës shpirtëror dhe një vizionar.
Ai sfidon mendësitë e ngurta dhe përpiqet të promovojë një Islam modern, të hapur dhe tolerant, që respekton diversitetin dhe zhvillimin e shoqërisë.
Puna e tij në Zvicër nuk është vetëm një shërbim për komunitetin mysliman.