Më shumë se 2000 nxënës të shkollave të mesme nga Ohri në sheshin e qytetit vendosën lule dhe ndezën qirinj, në nderim të viktimave të tragjedisë në Koçan. Nxënësit thanë se janë të tronditur dhe ndjehen të zhgënjyer nga institucionet që, siç thanë, nuk e kanë kryer punën e tyre sa duhet në 30 vitet e fundit.

“Në vendin tonë institucionet po dështojnë, nuk po e bëjnë punën që u është dhënë. Korrupsioni ka prekur gjithë vendin tonë dhe mendoj se ky ishte kulmi. Tani do të duhet të merren masa shumë më të mëdha. Kjo nuk duhet të ndalet këtu, sepse është për të ardhur keq që janë hequr të gjitha të drejtat, këtë herë kanë hequr edhe të drejtën bazë, të drejtën për jetë. Nëse nuk ngrihemi, kjo do të mbarojë për tre ditë. Jo vetëm ata që janë fajtorë në këtë rast, por të gjithë ata që janë të përfshirë në korrupsion në këtë vend, që kanë ose nuk kanë prapavijë në këtë, duhet t’u bëhet zgjidhje”, tha Llambe Ivanovski- nxënës.

“Ndihem e zemëruar dhe e di që mund t’i ndodhë kujtdo dhe se ne mund të kishim qenë në atë vend dhe kjo është arsyeja pse mendoj se nuk mund të kishim marrë ndonjë lajm më të trishtuar se ky. Këto ditë, si mësuesit ashtu edhe prindërit na këshillojnë se duhet të jemi të kujdesshëm, që të mos vizitojmë vende të tilla. Brezi ynë i fëmijëve shkon nëpër ahengje të tilla. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm”, u shpreh Ana Iloska- nxënëse.

“Të gjithë duhet të kuptojmë se mund të kishim qenë në vendin e atyre fëmijëve. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm që fëmijët e tyre janë të mitur dhe nuk duhet të lejohen në klubet që funksionojnë pas orës 12, nuk kontrollohen letërnjoftimet, ne jetojmë në vend të korruptuar në të cilin ky korrupsion duhet të ndalet dhe derisa të ndalojë, ne mund të jemi viktimat e radhës”, theksoi Stefanija Nasteska.

Nxënësit e Ohrit mbajtën dhjetë minuta heshtje në nderim të viktimave. Ndërkohë në Urën e drurit në Strugë është shfaqur tabela me mesazhin “Ne të gjithë jemi fajtorë për përqafimet e munguara”. Nga ana tjetër dy spitalet e dializës në Strugë dhe spitali i përgjithshëm i qytetit organizuan aksion për grumbullimin e pajisjeve mjekësore për të ndihmuar Spitalin “8 Shtatori” në Shkup, ku janë të shtruar disa nga të lënduarit. /Alsat.mk