Nderim pas vdekjes për shoferin e ambulancës që vdiq pasi kaloi gjithë natën duke transportuar pacientë në spitale pas zjarrit

Shoferi i Ndihmës së Shpejtë, i cili më 16 mars ka transportuar të lënduarit gjatë gjithë natës pas zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan dhe ka vdekur pasi është kthyer në shtëpi, do të nderohet pas vdekjes, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Ai tha se do ta ftojë familjen e shoferit dhe do t’i jepet një çmim për punën e tij heroike. Taravari theksoi se të gjithë kanë punuar mbi 20 orë në gjendje emergjente, pa shikuar orën, dhe shoferi ka bërë një punë të jashtëzakonshme në transportimin e pacientëve.
Sipas njoftimit të familjes, Ilee Gocevski ka arritur në shtëpi pas natës së vështirë, është shtrirë për të fjetur dhe nuk është zgjuar më.