Nënkryetarja e Lëvizjes Besa, Besa Kadriu godet qeverinë: Ikje nga përgjegjësia, gjuha e Mickoskit me tone nacionaliste!

Nënkryetarja e Lëvizjes Besa, Besa Kadriu ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të kryeministrit të vendit, Hristijan Mickoski për rastin e tragjedisë në Koçan.
Kadriu shkruan se qeveria po vepron me standarde të dyfishta dhe po ik nga përgjegjësia.
Ajo potencon se kryeministri po përdor gjuhë nacionaliste dhe se nuk merret me lëshimet në qeverisjen aktuale por ka fokusin tek e kaluara.
Reagimi i plotë:
Qeverisje me standarde të dyfishta dhe ikje nga përgjegjësia!
Qëndrimet e fundit të kryeministrit Mickoski në lidhje me rastet e Koçanit kanë treguar qartë mungesën e një qasjeje shtetërore dhe strategjike.
Në vend që të adresojë përgjegjësinë e qeverisë aktuale për dështimet institucionale dhe lëshimin e licencave në mënyrë të papërgjegjshme, ai vazhdon të zhvendosë fokusin te e kaluara.
Nuk ka dyshim që ata që kanë dhënë licenca duhet të mbajnë përgjegjësi, por a nuk është po aq e rëndësishme të flitet për përgjegjësinë e sotme?
Gjithashtu, gjuha publike e përdorur nga kryeministri është në nivel të ulët, me një ton të qartë nacionalist në sfond. Kjo qasje jo vetëm që nuk sjell zgjidhje, por thellon përçarjet dhe largon institucionet nga funksioni i tyre real. Ajo që është vërejtur që në fillim të kësaj qeverisjeje është një prerje e qartë e qasjes në institucionet kyçe për shqiptarët.
Ky devijim i politikës dhe mungesa e drejtësisë nuk mund të çojnë askund tjetër veçse në destabilizim dhe ikje nga përgjegjësia.
Në vend të retorikave të zbrazëta dhe akuzave ndaj të kaluarës, kjo qeveri duhet të tregojë ndryshim në qasje, të krijojë strategji të reja dhe të garantojë drejtësi për të gjithë qytetarët. Përndryshe, politika e përjashtimit dhe shmangies së përgjegjësisë do të ketë pasoja të rënda për stabilitetin e vendit!