Numri i personave të hospitalizuar të cilët morën djegie në zjarrin në diskotekën në Koçan kalon 160-170 së bashku me 16 të pranuar në spitalet private. Në një afat të shkurtë, për 24 orë të gjithë janë nën përkujdesje dhe ndaj të gjithëve është vepruar në mënyrë adekuate, ndërsa mbi 70 pacientë janë transportuar jashtë vendit. Duke qenë se janë mbushur kapacitetet te fqinjët, nga sot do të dërgohen pacientë edhe në Itali, Holandë dhe Belgjikë. Ekipi i mjekëve nga Çekia dhe Izraeli po u ndihmojnë mjekëve tanë, ndërsa një ekip nga Britania do të mbërrijë sot në vend për të ndihmuar në përgatitjen e fazës tjetër – rehabilitimin e të lënduarve, tha drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski i cili e vizitoi SPQ “8 Shtatori” së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Sipas Klekovskit, të gjithë pacientët janë gjallë dhe siç theksoi, ky është një sukses i madh, ndërsa ata në gjendje kritike janë dërguar në qendra të specializuara jashtë vendit.

“I siguroj familjarët se të gjithë pacientët deri tek i fundit janë të mobilizuar dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për trajtimin e tyre. Nuk ka asnjë pacient në gjendje kritike që nuk përkujdeset në institucionin e djegieve dhe Qeveria u ka mundësuar prindërve të jenë me fëmijët e tyre”, theksoi Klekovski, duke shtuar se kjo nuk është një betejë 72 orëshe, por do të zgjasë me javë dhe muaj.

Drejtori i Fondit theksoi gjithashtu se të dhënat për pacientët nuk do të zbulohen personalisht.

Drejtori i SPQ “8 Shtatori”, Sinisha Stojanoski, informoi se për momentin nuk ka asnjë pacientë në gjendje kritike, të gjithë janë në gjendje stabile. Shumica kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, kryesisht në kokë dhe duar. Lëndime të tjera përfshijnë thithjen e ajrit të nxehtë dhe tymit, si dhe lëndime traumatike dhe fraktura.