Dëshmitarët e tragjedisë në Maqedoninë e Veriut thonë se vendasit kanë ndihmuar në transportimin e të mbijetuarve drejt qëndrave spitalitore.Ata shprehin edhe zemërimin për klubin e natës që funksiononte pa standarte.

Pas tragjedisë në Maqedoninë e veriut ajo që ka mbetur pas është pikëllimi dhe zemërimi.

Jashtë spitalit kryesor në Koçan, familjarët dhe miqtë e të prekurve u përqafuan me njëri-tjetrin dhe ndezën qirinj.

Një nga dëshmitarët e kësaj ngjarje shprehet se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ambulancat nuk kanë qënë të pranishme dhe kanë ardhur me vonesë.

Ai thotë se shumë vendas kanë ndihmuar në transportimin e të mbijetuarve në spital.

ILCO LAZAROVSKI – DESHMITAR

“Nuk kishte mjaft automjete të urgjencës dhe njerëzit me makinat e tyre personale i çuan disa nga të mbijetuarit në spitale. Në rrugë ishte krijuar kaos. Disa njerëz po shkonin në spital, dhe të tjerë vinin për të gjetur të dashurit e tyre. Të rinjtë ishin në panik dhe prindërit qanin dhe bërtisnin.”

Kur lajmi për tragjedinë u përhap kudo në media e internet , të afërmit e tronditur filluan të mbërrinin në vendngjarje në kërkim për të dashurit e tyre.

Një baba u qetësua që gjeti djalin e tij 23-vjeçar, i cili tani ndodhet i shtruar në spital në kryeqytetin Shkup.

“Duart e tij janë të djegura, edhe koka, dhe thotë se ka vështirësi në frymëmarrje. Ai u dërgua në spitalin më të afërt nga njerëzit që erdhën në ndihmë. Më pas u dërgua në spitalin e Shkupit. Shoku i tij më telefonoi në mes të natës për të më treguar se çfarë ka ndodhur.”

Mes atyre që I kanë mbijetuar tragjedisë është edhe vajza e Sasha Djenic e cila arriti të dilte jashtë klubit të narës por pësoi djegie.

SASHA DJENIC – Babai i një të mbijetuare

“Ajo ka disa djegie në krahë, por fatmirësisht asgjë serioze . I është dashur pak kohë për të dalë. Ka patur një rrëmujë të madhe . Me sa mund të kuptoj, shumica e njerëzve humbën jetën nga asfiksia. Dhe ata që dolën dhe më pas u kthyen brenda për të evakuuar njerëzit para se të shembej tavani ndërruan jetë.”

Mësues në një shkollë aty pranë, ai thotë se klubi I natës ka qenë gjithmonë problematik.

SASHA DJENIC – Babai i një të mbijetuare

“Kam mësuar se ky klub nate ka funksionuar pa standarde. Nuk ka një licensë të rregullt , dhe njerëzit po fitonin para prej saj. Kush është përgjegjës? Bileta e hyrjes ishte 500 denarë, rreth tetë euro. Imagjinoni si ishte këtu në mbrëmje. Një prind I duhej të vinte për të marrë fëmijën, sepse taksitë nuk vinin për shkak të turmave.Ishte kaos.”

Djenic është një nga personat e paktë me fat. Dy nga miqtë e tij nuk ishin aq me fat dhe humbën fëmijët e tyre.

SASHA DJENIC – Babai i një të mbijetuare

“Nuk është e lehtë për mua, mund të kisha humbur fëmijën tim të vetëm, por kam një koleg që humbi një vajzë, një koleg tjetër që humbi një djalë, një shok shkolle që humbi djalin e tij. Si do të jetoj unë mes këtyre njerëzve? Do të duhet të shkoj në punë. Ne jemi mësues.”