Shkruan: Merxhan Jakupi
Javët e fundit kanë filluar simptomat e etheve të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Shumë analistë janë në dilemë nëse mbyllja e kapitullit të shpërbërjes së Ish-Federatës Jugosllave do të përfundojë me shpërbërjen e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës.
Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës e ka dënuar liderin e Republikës Srbska, Millorad Dodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për ushtrimin e funksioneve. Në kohën kur ai ka ditëlindjen, nga Sarajeva është shpallur një fletë-arrest. Dodik është akuzuar nga gjykata për injorimin dhe mosrespektimin e përfaqësuesit të lartë për Bosnjën, Christian Schmidt. Ai gjithashtu nuk e njeh Gjykatën e Lartë dhe ka ndaluar punën e prokurorisë në Republikën Srbska. Përveç kësaj, Dodik ka ndaluar Agjencinë Shtetërore për Hetime (SIPA). Duke ndjekur këtë qasje, parlamenti në Banja Luka ka ndryshuar kushtetutën, duke shtuar disa nene dhe akte që e çojnë Republikën Srbska drejt secesionit.
Milorad Dodik, para gazetarëve, ka konfirmuar se pas disa muajsh mund të ndodhë një skenar i ngjashëm me shpërbërjen e Ish-Federatës Jugosllave, që do të thotë shpërbërje e fundit e Bosnjë-Hercegovinës. Nëpërmjet një batute Dodik ka thënë se kur tre vëllezër jetojnë në një shtëpi dhe kanë konflikte, alternativa më e mirë është ndarja. Sipas tij, do të jetë më mirë që të tre etnitetet të jenë të pavarura. “Ne do të shkëputemi nga ky shtet përbindësh, myslimanët dhe kroatët mund të vazhdojnë si të duan,” ka deklaruar Dodik, duke shtuar se nuk beson që kroatët do të qëndrojnë në këtë shtet. Sipas Dodikut, ata do ta marrin pjesën e tyre dhe do t’i bashkohen shtetit amë, Kroacisë. Në fund, sipas tij, do të mbetet një mini-shtet musliman, një “kancer” në zemër të Evropës.
Lideri i serbëve të Bosnjës shpesh bën fyerje dhe tallje, duke i quajtur boshnjakët myslimanë dhe “muxhahedinë”. Sipas kushtetutës së Bosnjës, ky etnitet quhet boshnjak. Kjo është një fyerje, e ngjashme me mënyrën se si serbët nacionalistë na quajnë ne shqiptarëve “shiptari”. Dodik e quan kryeqytetin e Bosnjës “Teheran”. Po ashtu, ky fëmijë i llastuar bastard, i tall, i fyen, i shan me një fjalor rrugaçësh, liderët evropianë, duke thënë se Bashkimi Evropian do të shpërbëhet.
Ndërkohë, mbi një e treta e popullsisë së Republikës Srbska punon dhe jeton në shtetet e BE-së, ndërsa shumë shkolla, rrugë, institucione dhe shoqata financohen nga donatorë dhe taksapagues të BE-së.
DODIK, AKTORI BALLKANAS QË LUAN SIPAS “MUZIKËS” SË PUTINIT
Të vetmit aleatë dhe mbështetës të Dodikut janë Aleksandar Vuçiq, Vladimir Putin dhe Orban. Populisti dhe autokrati Millorad Dodik është i vetmi lider në Ballkan që luan rolin e aktorit sipas “muzikës” dhe notave të Putinit.
Dy liderët serbë, Vuçiq dhe Dodik, me shumë entuziazëm dhe admirim e kanë pritur fitoren e Donald Trump-it. Ata mendonin se agjenda e politikës së jashtme dhe gjeostrategjia e diskursit politik do të ndryshonin në favor të tyre.
Sekretari amerikan, Marco Rubio, i dha një dush të ftohtë Dodikut, duke i thënë se nuk është viti 1992. Në vend të karotës që priste ky autokrat dhe populist, Millorad Dodik, Trump-i ia tregoi shkopin.
Sipas analistit dhe kolumnistit serb, Sllobodan Samarxhiq, Dodik për vite me radhë ka përdorur të njëjtat fraza dhe klishe, duke shtënë me pushkë të shprazur dhe duke ngritur balona në ajër, ndërkohë që këtë herë, narrativa e Dodikut është e rrezikshme. Sipas këtij analisti, ekzistojnë disa skenarë dhe versione. “Fletë-arresti nga Sarajeva mund të jetë i rrezikshëm për Dodikun. Një opsion mund të jetë që Dodik të japë dorëheqje nga të gjitha funksionet, ndërsa Gjykata e Lartë mund ta tërheqë aktakuzën. Skenari i dytë është që Dodik do të vazhdojë më tej dhe nuk do të dorëzohet. Skenari i fundit, Putin mund t’i ofrojë azil politik”, thekson analisti Samarxhiq
Sipas shkrimit të autorit në revistën serbe “Nin”, mund të ketë një marrëveshje mes Trump-it dhe Putinit. Trump-i është xhambaz. Në të ardhmen, Trump-i mund të bëjë pazare me Putinin. Një marrëveshje mes tyre mund të jetë që Putin të marrë pjesët e pushtuara të Ukrainës, duke hequr dorë nga influenca në Ballkanin Perëndimor.
Sipas autorit, pas ujdisë mes dy liderëve, Putin në të ardhmen mund ta njohë Kosovën, duke i lënë Trump-it hapësirë për të vazhduar interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan.