Dy spitale publike në Madrid të Spanjës do të marrin për trajtim shtatë persona të lënduar nga zjarri masiv në një klub nate në qytetin e Koçanit, Maqedonia e Veriut, të cilët pritet të mbërrijnë së shpejti, njoftuan të përditshmet spanjolle “ABC Madrid” dhe “20Minutos”, duke cituar informacione të konfirmuara nga zëdhënësi i qeverisë spanjolle, Miguel Angel Garcia Martin, përcjell TS.
Nga shtatë transferimet që priten së shpejti, pesë do të shkojnë në spitalin e La Pazit dhe dy në spitalin Getafe, i cili është një qendër e njohur ndërkombëtarisht për trajtimin e djegieve. Së shpejti pritet ardhja e këtyre pacientëve dhe spitalet kanë gjithçka gati për ta.
Gazeta spanjolle në edicionin e djeshëm, ndër të tjera, thekson se numri i të vdekurve në këtë incident është mbi 50, ndërsa numri i të lënduarve i kalon 150. Nga flakët apo tymi kanë humbur jetën të rinj, mes të cilëve edhe futbollisti 25-vjeçar Andrej Lazarov. Ai, si të tjerët, vdiq duke u përpjekur të shpëtonte njerëzit e tjerë në klubin e natës.
Gazeta “20Minutos” raporton se repartet e djegieve të spitaleve publike në “La Paz” dhe “Getafe” do të presin në ditët në vijim shtatë persona nga Maqedonia e Veriut, të cilët u plagosën rëndë nga zjarri që shpërtheu gjatë një festë në një lokal nate në qytetin verilindor të Koçanit fundjavën e kaluar. Ky incident tragjik mori jetën e afro 60 personave, plagosi 155 persona në shkallë të ndryshme dhe çoi në 15 arrestime për shkak të kushteve të parregullta në klubin e natës./TS/