Kjo tragjedi ka përmasat e një katastrofe kombëtare. Jo vetëm që politika nuk ka vend këtu, por një abuzim i tillë i tragjedisë është absolutisht i papranueshëm, ka deklaruar në një intervistë për gazetën serbe Politika kryeprokurori Kocevski.

Duhet të jemi të bashkuar, sepse qëllimi ynë i përbashkët është të ndëshkojmë të gjithë përgjegjësit dhe të sigurojmë që një tragjedi e tillë të mos përsëritet më, tha prokurori publik shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljupço Kocevski.

Në një intervistë për “Politika” të Beogradit, Kocevski thotë se mosrespektimi i ligjit është toleruar shumë gjatë, tani të gjithë kërkojnë drejtësi dhe drejtësia duhet të vendoset.

-Dëshmitë që mbledhim çdo ditë tregojnë se rrënja është në fakt një gërryerje e përgjithshme e sistemit, një kulturë e mosrespektimit të ligjit dhe rregullave, por edhe një korrupsion i thellë sistemik. Prokuroria, për fat të keq, nuk është organ parandalimi, por represioni. A mund të parandalohej një epilog i tillë dhe si? Unë do të thoja, ndoshta. Por tani na mbetet neve të përballemi me pasojat, t’i ndëshkojmë përgjegjësit e kësaj katastrofe dhe të parandalojmë që një tragjedi e tillë të përsëritet, thekson Kocevski.