Tragjedia e Koçanit ka anuluar takimin e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor kushtuar planit të Bashkimit Evropian (BE) për rritje. Burime qeveritare tregojnë se në takimin që duhej të mbahej nesër me gjashtë liderët e rajonit, duhej të vinte edhe komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, Jan Koppman.

Në Shkup, praninë e kishte konfirmuar një javë më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa përveç takimeve të përbashkëta me kryetar e presidentë të vendeve nga Ballkani, kryeministri shqiptar kishte planifikuar të takohet edhe me liderë dhe përfaqësues tjerë politikë nga Maqedonia e Veriut. Theks i bisedave në takime, siç kishte raportuar gazeta KOHA ditë më parë, përveç Planit të BE-së për rritje, do të vihej edhe për degradimin e Marrëveshjes së Ohrit, konkretisht tentimit të Gjykatës Kushtetuese për abrogimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i njohur si Ligji për gjuhën shqipe. Zyrtarisht ajo që dihej ishte se Rama do ta takonte kryeministrin e Maqedonisë, Hristijan Mickoski, “kokë më kokë” si dhe ministra të Qeverisë në Shkup, ndërsa ishte planifikuar edhe një takim me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndryshe, takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor që u anulua për shkak të zisë për tragjedinë në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj, ishin planifikuar të zhvillohej Shkup , pasi i fundit ishte në Bruksel pas dështimit të një takimi në Bosnjë-Hercegovinë . Takimi është shtyrë, pa datë të caktuar akoma, ndërsa thuhet të jetë një rast për të analizuar se si po avancon realizimi i këtij plani për rritje në rajonin e Ballkanit Perëndimor, një prej paketave më ambicioze të BE-së për të ndihmuar zhvillimin ekonomik në këtë rajon.

Ambiciet që ishin shprehur më herët si nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ashtu edhe nga vetë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se në fund të vitit 2024 do të kryhen pagesat e para nga kjo paketë, nuk janë realizuar. Dhe akoma nuk është e qartë se kur do të mund të kryhen pagesat e para. Sipas disa burimeve diplomatike në Bruksel, kësaj radhe arsyet kryesore për vonesa janë më shumë vonesat nga vendet përfituese sesa nga ana e BE-së. Vendet e rajonit duhet të përmbyllin disa procedura të brendshme në mënyrë që të mund të marrin pagesat e para nga BE-ja.

Nga ana e vetë Komisionit Evropian tash e disa muaj vazhdon të thuhet se “është duke finalizuar hapat në procedurë që do të mundësojnë pagesën e para financimit sa më parë që të jetë e mundur në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta pritet që të jenë në tremujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti, pasi të përmbushen kriteret përkatëse”.

Problemi me disa vende të rajonit, përfshirë edhe Kosovën, është se para se të marrin pagesat e para me BE-në, duhet të arrijnë Marrëveshje për kredi, sepse një pjesë e mjeteve financiare janë kredi të volitshme dhe një pjesë tjetër grante pa kthim. Këto marrëveshjet kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, prandaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave. Në Kosovë akoma nuk është konstituuar Kuvendi i ri pas zgjedhjeve, ndërsa nuk dihet se kur do të formohet qeveria. Kjo do të ndikojë edhe në vonesat e reja në pagesat e para për Kosovën nga kjo paketë.

BE-ja ka vendosur që të gjitha vendeve për të cilat janë aprovuar agjendat e reformave dhe rritjes të paguhet si “pagesë para financuese” shuma prej 7 për qind e mjeteve të dedikuara për atë vend përkatës. Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, e kanë përmbushur kushtin e miratimit të agjendave të reformave. Paketa në total është në një vlerë prej 6 miliardë eurosh për të gjitha vendet e rajonit për një periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Nga kjo shumë 2 miliardë janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Sipas një përllogaritje jozyrtare Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes. Mbi 250 milionë Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Sipas kësaj, Kosovës do t’i paguheshin 7 për qind në fillim si “para financim”, që i bie rreth 61 milionë euro. Për kokë banori Kosova do të përfitojë më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit, nga kjo paketë. Shqipëria do të përfitojë në total 922 milionë euro, Maqedonia e Veriut gjithsej do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, Serbia 1.58 miliard euro, Bosnjë e Hercegovina 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa Mali i Zi 383 milionë euro. (koha.mk)