Duke folur me gazetarët të premten pas përplasjes së tij me Volodymyr Zelenskyn në Zyrën Ovale, Donald Trump u tha gazetarëve se takimi “nuk funksionoi mirë”.

Ai tha se Zelensky po luante blof mbi kapacitetet e tija për shkëmbimin dhe përsëriti pretendimin se Zelensky “po luan me letra shumë të dobëta në dorë”, për një marrëveshje të mundshme paqeje.

Trump tha se Zelensky do të ishte “i fortë” nëse lideri do të nënshkruante marrëveshjen për mineralet e propozuar nga SHBA-të. “Ai po kërkon të vazhdojë dhe të luftojë, të luftojë, të luftojë, ne po kërkojmë t’i japim fund vdekjes,” shtoi Trump. Ai përdori sloganin e tij të famshëm “Fight Fight Fight” pas një atentati të dështuar, si analogji.

I pyetur se çfarë duhet të bëjë lideri ukrainas për të rifilluar bisedimet, Trump tha se “duhet të thotë ‘dua të bëj paqe’”.

Ai më pas përsëriti kërcënimin e tij për tërheqjen e mbështetjes amerikane: “Ose do t’i japim fund, ose do ta lëmë atë ta luftojë”.