“Gjatë Ramazanit, ritmi i metabolizmit ngadalësohet për shkak të zvogëlimit të numrit të vakteve dhe periudhës së agjërimit prej afërsisht 16-17 orësh. Sipas dietologëve kur fillohet vakti i iftarit, duhet zgjedhur fillimisht ushqim i lehtë si hurma dhe supë, përpara se të kalohet në pjatat kryesore me mish dhe karbohidrate”.

“Një supë duhet gjithmonë të jetë present, gota me ujë, edhe hurmat në fillim. Sasia e sheqerit që është në hurma edhe uji mundësojnë që ti japim trupit pak energji, pastaj supa që është me perime qoftë me thjerrëza të kuqe, qoftë me spec, karrota, të gjitha supat që janë me perime janë të mirëseardhura, vetëm duhet të shtojmë më shumë erëza në vend të kripës. Me supën mund të konsumojmë edhe një copë bukë, por më ngadalë mos të ngutemi dhe të pushojmë pak” – tha Dietologja, Valbona Kadriu.

Ushqimi gjatë muajit të Ramazanit, Rexhepi: Agjërimi ripërtërin trupin e njeriut

Mjeku Shpejtim Rexhepi thotë se agjërimi bën ripërtërirje në organizmin e njeriut, sjell dobi të shumta shëndetësore si dhe ndikon në detoksikimin e trupit të njeriut.

“Agjërimi sjell shumë dobi duke numëruar uljen e nivelit të sheqerit në gjak, rregullimin e sëmundjes së diabetit, ul tensionin duke ulur yndyrërat, trigliceridet në gjak, përmirëson stresin, largon depresionin, ndihmon te pacientët që kanë peshë trupore ose që janë me obezitet, ndihmon në humbjen e peshës, e ul inflamacionin te pacientët që janë me sëmundje reumatike, e përmirëson dukshëm shëndetin e tyre”. – deklaroi mjeku, Shpejtim Rexhepi.

Mjeku Shpejtim Rexhepi njëherit rekomandon personat me probleme të rënda shëndetsore nëse gjatë agjërimit u përkeqësohet gjendja e tyre, të paraqiten tek mjeku amë për këshilla mjekësore.