Me mbi 10 kamera dhe po aq media, presidenti serb Aleksandar Vuçiç vizitoi dje spitalin ku po trajtohen të plagosurit nga zjarri në Koçan. Kjo vizitë ka ngjallur reagime të ashpra dhe indinjatë në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Veçanërisht të diskutueshme ishin fotografitë e publikuara nga Vuçiç, ku pacientët shfaqeshin të shtrirë dhe të pafuqishëm në shtretërit e spitalit.

Lidhur me këtë, mjeku Nenad Lazarov reagoi duke kritikuar organizimin e vizitës:
“Ju lutem, mos mbani konferenca për shtyp mbi pacientët, veçanërisht mbi ata me djegie të rënda. Pa asnjë qëllim politik, por djegiet trajtohen si plagë të hapura dhe nuk duhet të ketë turma civilësh. Faleminderit sinqerisht për ndihmën, por ju lutem, mos e bëni këtë,” shkroi ai.

Nga ky event ka edhe video ku, përveç pacientëve të vetëdijshëm që falënderuan për ndihmën, shihen edhe të plagosur të cilët nuk ishin të ndërgjegjshëm. Vuçiç vizitoi çdo pacient, ndërsa përpara kamerave u diskutua edhe gjendja e tyre shëndetësore.